E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti për MSA-në: Shqipëria hapa pas në shumë aspekte

TIRANE - Shqipëria nuk i ka përmbushur plotësisht angazhimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit. Një grup ekspertësh të pavarur, monitoruan përgjatë periudhës Tetor 2008 - Shtator 2009, zbatimin e MSA-së nga autoritetet shqiptare, duke theksuar se në shumë fusha janë bërë hapa mbrapa, ndërsa në disa të tjera vazhdon status-quoja. Raporti i prezantuar sot paradite në Tiranë përqendrohet në çështjet më prioritare të marrëdhënieve BE-Shqipëri, ku kombinohen sipas një ndarje metodologjike çështjet që kane të bëjnë më kriteret politike, ekonomike, përmbushjen e standardeve europiane dhe kapacitetet administrative.


Sipas raportit, Kuvendi vazhdon të demonstrojë mangësi në kapacitetet administrative për të kontrolluar procesin legjislativ në aspektin e përafrimit të legjislacionit. Vetëm Komisioni i Integrimit Europian bën një kontroll formal lidhur me shoqërimin ose jo, të iniciativave ligjore të propozuara nga ekzekutivi, me tabelat e përputhshmërisë dhe relacionin shoqërues, kërkesë kjo e përcaktuar në rregulloren e Këshillit të Ministrave. Sipas ekspertëve Shqipëria më shumë se sa nga mungesa e dokumenteve strategjik ka vuajtur nga mungesa e zbatimit të tyre.


Duke analizuar Reformën Zgjedhore, raporti thotë se Kodi i ri Zgjedhor (29 Dhjetor 2008) u kundërshtua nga partitë e vogla fillimisht për shkak të sistemit zgjedhor proporcional rajonal, ndërsa më vonë, edhe për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Sistemi i ri zgjedhor shmang fenomenin e "dushkut" të vërtetuar në zgjedhjet e mëparshme, i cili lejonte transferimin e votës dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Megjithatë, Kodi i ri Zgjedhor paraqet edhe mangësi siç është mos-përfshirja e referendumeve apo mos-reflektimi i disa rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Pajisja e zgjedhësve me karta identiteti u shfaq si një proces jo i lehte dhe një numër i konsiderueshëm zgjedhësish pa pasaportë rezultuan deri në ditën e votimit si të pa pajisur me karta identiteti. Zgjedhjet e 28 qershorit u monitoruan si nga vëzhguesit ndërkombëtare edhe nga vëzhguesit vendas të cilët në raportet e tyre parashtrojnë arritjet në kuadrin ligjor dhe masat e karakterit tekniko-organizativ të ndërmarra nga KQZ por në të njëjtën kohë edhe shkelje e shqetësime të tjera.


Në Administratën publike, sipas ekspertëve, emërimet në shërbimin civil vazhdojnë të bëhen nën ndikimin politik dhe nëpërmjet procedurave jo transparente. Problemi më i dukshëm është ai i rekrutimit në shërbimin civil, ku shpesh konkurset bëhen në mënyrë fiktive. Gjatë këtij viti ka pasur një rritje te numrit të vendimeve të Këshillit të Ministrave për caktimin e punonjësve me kontratë të përkohshme, për ministritë dhe institucionet qendrore. Departamenti i Administratës Publike (DAP) si institucioni kryesor përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil vazhdon të ketë një rol të dobët në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të shërbimit civil. Pozicionimi i tij si një nga institucionet në varësi të Ministrisë së Brendshme, vështirëson imponimin e tij ndaj institucioneve të tjera të një niveli më të lartë për zbatimin e ligjit Për Statusin e Nëpunësit Civil.


Sistemi i drejtësisë ka qenë në reformim të vazhdueshëm këto vite, por ajo që vihet re edhe në periudhë vit të fundit është mungesa e një strategjie afatgjatë për reformën në drejtësi dhe mungesa e një komunikimi të vazhdueshëm konstruktiv midis palëve politike nga njëra anë dhe ekzekutivit dhe aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë nga ana tjetër. Pa dyshim që situata para dhe pas elektorale e zgjedhjeve të 28 qershorit ka pasur ndikimin e vet në mos përfundimin e një numri iniciativash ligjore të ndërmarra nga qeveria në këtë fushë.


Hapa mbrapa janë bërë në luftën kundër korrupsionit. Megjithëse një pjesë e problemeve të vërejtura në vitet e mëparshme si mungesa e treguesve të arritjeve, afatet, dhe institucionet përgjegjëse janë zgjidhur tashmë, një nga çështjet kryesore, ajo e përcaktimit të buxhetit për çdo masë vazhdon të ngelet e pa adresuar. Për më tepër, në Plan Veprim është adresuar vetëm ajo pjesë e strategjisë e cila ka të bëjë me pushtetin ekzekutiv, pra ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë. Çështje shumë të rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit të parashikuara në Strategji si: gjyqësori, prokuroria, transparenca e partive politike, shoqëria civile, kufizimi i imuniteti të zyrtarëve të lartë, janë lënë jashtë këtij Plani.


Hapa pas janë bërë edhe në Reformën e Decentralizimit. Shqipëria ka hyrë në fazën e tretë të decentralizimit, atë të zbatimit të legjislacionit dhe të marrjes së përgjegjësive të plota nga njësitë vendore. Politika fiskale e Qeverisë për delegimin e mëtejshëm të taksave në nivel kombëtar drejt administrimit nga pushteti vendor nuk është koordinuar dhe shoqëruar me rritjen e kapaciteteve për miradministrimin fiskal nga pushteti vendor. Kjo ka sjellë një nivel të ulët të mbledhjes së taksave nga njësitë vendore duke mos realizuar të ardhurat e parashikuara. Sipas parashikimeve të Qeverisë, transferimi i pronave publike drejt Njësive të Qeverisjes Vendore pritet të përfundojë brenda vitit 2009. Më problematike shfaqet situata e transferimit të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve në administrimin e pushtetit vendor. Ndonëse i janë transferuar ligjërisht njësive të qeverisjes vendore, këto njësi kanë refuzuar të marrin përsipër administrimin e tyre për shkak të situatës së vështirë financiare të ndërmarrjeve të ujësjellësve dhe diferencës së madhe midis kostos reale dhe tarifës së blerjes së ujit të pijshëm. Një tjetër problem shqetësues është mos përfshirja e njësive të pushtetit vendor në proçesin e përcaktimit të përparësive të ndihmës së huaj. Ky proces udhëhiqet nga institucionet qendrore të cilat në negociata përcaktojnë përparësitë kombëtare pa iu referuar zhvillimeve specifike rajonale, zhvillime të cilat shprehen dhe në strategjitë rajonale të qarqeve.

Raporti trajton edhe aspekte të tjera, ku hasen të njëjtat problematika, siç janë të drejtat e njeriut, zbatimi I standardeve europiane në shumë prej sektorëve publikë, si dhe çështjet e brendshme që shkojnë nga mbrojtja e të dhënave personale, politika e vizave, azili apo terrorizmi. Ky është raporti I tretë i ekspertëve të zbatimin e MSA-së nga qeveria shqiptare dhe u financua nga Fondacioni Soros.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›