E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mero Baze: E vërteta e takimit me Metën mesditën e 1 korrikut


Gazetari Mero Baze i eshte pergjigjur sot disa deklarimeve te liderit te LSI-se, ministrit te jashtem Ilir Meta bere ne emisionin Zone e Ndaluar'.
Deshmia e Bazes qe hedh drite, pos te tjerash, edhe mbi atmosferen ne LSI dy dite pas zgjedhjeve te qershorit, eshte e plote me poshte:


***


"... Pazari im me Ilir Metën?! E kisha dëgjuar disa ditë pas zgjedhjeve këtë legjendë të tij. Një nga njerëzit e afërt të Berishës ma tha javën e parë të korrikut me shumë habi, duke dëshmuar se ia kishte thënë Ilir Meta, por nuk e mora seriozisht. Dje këtë gënjeshtër e dëgjova tek emisioni i kolegut Bushati, nga gojë e Ilir Metës.

Ç'ka ndodhur në të vërtetë?

Më 1 korrik pak para mesditës, ndërsa po kaloja para selisë së LSI, pasi 200 metra më tutje është zyra ime, më telefonoi Artur Zheji. Ishte në një tavolinë me Ilir Metën dhe Alfred Pezën dhe më ftoi dhe në emër të tyre t'iu bashkohesha për një kafe.

S'kisha hyrë kurrë në atë ndërtesë, por, meqë ishin në kafenenë poshtë saj, u ktheva dhe hyra brenda. Ishte një ditë e keqe për LSI. Disa militantë të dëshpëruar rrinin shpërndarë në cepa të kafenesë dhe thuajse nuk bënin zë. Ilir Meta me Zhejin dhe Pezën ishin nga krahu i rrugës, kurse në qoshen e kafenesë shquante Monika me disa burra që shkëmbenin në adresë të s'di se kujt të shara dhe kërcënime. Një ditë më parë Ilir Meta kishte arritur të konfirmohej deputet dhe tashmë kishte hyrë në llogaritë e të dy palëve... U ula duke u përpjekur ta uroj për aq sa mund të urohej me atë rezultat.

Më falënderoi që unë e kisha mbështetur gjatë gjithë vitit që shkoi, që nga ndryshimet në Kod e deri ditën e fundit të fushatës. Kisha thyer në të vërtetë rregullat e fushatës dhe LSI kishte zënë në emisionet e mia më shumë kohë se PD dhe PS, si dy parti të mëdha. E kisha bërë me vetëdije, jo se e dija që Berisha do ta quante më pas "parti të persekutuar", por se realisht jam aleat pa kushte i çdokujt që tentohet të dhunohet politikisht në këtë vend.

Dy kolegët e mi, Peza dhe Zheji, kishin kohë që rrinin me Metën dhe kishin konsumuar çdo bisedë me të.

- Ç'të bëj unë o flori tani? - më tha.

- Çfarë thua ti?

- Tani s'ke ç'bën, - i thashë. - Të ka rënë fati t'i terrorizosh të dy, siç ta bënë ty ata. Për mua ke një rrugë, të bësh koalicion me PD, por nxija jetën këtij Berishës, i thuaj që as unë, as ti kryeministër....

E qeshura e Metës që filloi bashkë me fjalinë time u ndërpre papritur. Kjo puna që duhet t'i thoshte Berishës nuk duhet të jesh kryeministër e turbulloi pak.

- E vështirë më duket, - tha.

- E bën Edi Rama menjëherë me të, - u hodh Zheji.

- S'ka si e bën,- i thashë. - Ky të dalë të thotë që do të bëj koalicion me PD, por kryeministër të mos jem as unë, as Berisha. Le të propozojë Ridvan Boden. Krizë ekonomike është, duhet ministri i Financave të drejtojë vendin, - i thashë unë, në fakt jo shumë seriozisht. Zheji dhe Peza qeshën, ndërsa Meta sërish ishte pak i hutuar. Se ç'kishte një ngërç, kur dikush i rekomandonte t'i thoshte "Jo" Berishës. Pastaj iu bashkua humorit tonë.

- Tërbohet Berisha po t'ia bësh këtë, - tha.

- Maksimumi Ridvani gjendet i vrarë deri në shtator, - e plotësova unë me humor.

Mes këtyre shakarave, pa ndonjë domethënie të veçantë, e vetmja gjë që shihja qartë ishte se Ilir Meta tmerrohej nga ideja se mund t'i refuzonte diçka Berishës.

- Ta ka prishur pak pazarin ky Dritan Prifti, - i thashë, - se u nxitua.

- Po ç't'i bëj atij o flori? - tha. - Ai, ti e di, që gjysmë truri ka. Gjysmën tjetër e ka lënë rrugës.... Pastaj partia ime o flori s'mori vota të majta, - më tha. - Këto janë vota gjaku, janë vota personale. Janë vota të Dritanit që ia dha Sokoli, janë vota të Terit në Durrës që i ka marrë Nari, janë vota të Nasipit në Berat që ia ka marrë Miti, janë dhe votat e koalicionit në Tiranë. LSI këta e asgjësuan.

U bë papritur i vrenjtur në fytyrë dhe iu turr një djali që rrinte në tavolinën ngjitur nesh.

- Ç'do këtu ti? - i ulëriti. - Ke një orë që na dëgjon ne ç'themi. Kush të ka dërgu? Ik qërohu këtej!

Nga fundi i lokalit u ngrit Miti, një militant i Metës nga Skrapari, e mori të gjorin djalë gati për leckash dhe e nxori jashtë.

Ishte një skenë paksa paranojake që rrezatonte krizën e momentit të Ilir Metës. Nga cepi tjetër i kafenesë, fytyra e Monikës nxinte. Dëgjonte gati me urrejtje bisedën tonë dhe m'u duk se nga çasti në çast mund të ngrihej e të na ulej aty duke na qëlluar me shpulla. Lexohej qartë një dëshirë për të qenë seriozë me Berishën, ndërsa unë po bëja rekomandime gjysmë karagjoze, që përfundonin dhe me skenarë për vrasjen e Ridvanit.

E pashë se s'kishte shumë vend për humor, pasi mbetej ende një ditë e keqe për ta. U ngrita dhe ika duke i përshëndetur dhe duke i lënë ende aty Zhejin dhe Pezën.

Kaq ishte gjithë historia e takimit tim me Ilir Metën. Pas meje në rrugicë u shfaq Fahri Balliu, dhe të nesërmen në hotel "Rogner" Frangaj dhe Fevziu u ulën me Metën. Njeriu i afërt i Berishës, që më telefonoi i shqetësuar, në të vërtetë e nisi bisedën nga këta dy të fundit. Këta i paskan thënë Berishës që duhet bërë shpejt koalicion me Metën, se ai Edi Rama i paska nisur Mero Bazen për pazar. Më erdhi për të qeshur, se nuk e kisha takuar ndonjëherë Edi Ramën në jetën time, përveçse në debate televizive.

- E kam takuar Ilir Metën, - i thashë, - dhe kemi bërë një plan si të vrasim Ridvan Boden.

E mbylla duke qeshur, se mendova që dhe ai provokonte. Por dje tek emisioni i kolegut Bushati e pashë që Ilir Meta ka filluar të besojë atë që ka shpikur që të nxitonte të shkonte në prehrin e Berishës.

Duke mos dashur të pranojë mungesën e dinjitetit dhe mungesën e lirisë së tij personale përballë Sali Berishës, paska gjetur një arsye për nxitimin e tij drejt shkallëve të Kryeministrisë, që lidhet me mua. Megjithëse nuk më shqetëson aspak kjo gënjeshtër, ndjehem keq nga kush qeverisemi. Më vjen keq për të, që ka ngelur kaq keq, sa i duhet të shpikë si një gënjeshtar ordiner për të përligjur gënjeshtrën më të madhe të jetës së tij, gënjeshtrën për vetveten..."

*************

*Pergjigja e mesiperme eshte botuar edhe ne gazeten Tema



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›