E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti s’i ka burimet në KFOR

Nga Express më 29 janar 2011 në ora 17:54

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka mohuar të shtunën se një raport, në bazë të të cilit është publikuar një shkrim i gazetës “Le Monde”, i takon KFOR-it.

Shkrimi, i cili bazohet në një raport të inteligjencës së KFOR-it për vitin 2004, ndërlidh anëtarin e Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, me “aktivitete kriminale të pasluftës në Kosovë”.

“Nuk është një raport që i ka burimet nga qarqet e KFOR-it, por është një raport që mund t’i drejtohet KFOR-it apo t’i jepet KFOR-it në dispozicion. Të gjitha këto unë i marr seriozisht dhe e kam krijuar një komision të përbashkët, i cili do të gjejë burimin e këtyre raporteve. Më mirë do të jepja një përgjigje kur t’i përmbyllë hulumtimet ky komision i sapokrijuar”, ka thënë Buhler.

Ai ka theksuar se nuk ka asnjë lloj dëshmie nëse ky raport është i vërtetë dhe se për këtë duhet pritur përfundimin e punës së komisionit, që do të gjejë burimin e raporteve.

Buhler i bëri këto komente në ceremoninë e hapjes së Shtëpisë Fushore në qendër të Prishtinës. Shtëpia Fushore, ose LMT C2 do të ketë 11 ushtarë suedezë, një udhëheqës të ekipit, pesë oficerë ndërlidhës dhe pesë asistentë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›