Pas 11 vitesh, bëhen me shtëpi
Para pak kohësh, disa banorëve shqiptarë në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, shtëpitë e të cilëve ishin djegur gjatë luftës, u janë dhënë çelësat e shtëpive të rindërtuara.
Dukshëm i prekur që ka marrë çelësat e shtëpisë dhe që pas 11 vjetësh ka sërish kulm mbi kokë, plaku Ahmet Bajramoviq falënderon komunën për ndihmën e ofruar.
Ai, i cili me vite ka jetuar në njërën nga strehimoret në Mitrovicë, duke falënderuar edhe Kompaninë “Llamarina’” për punën e shkëlqyeshme, ka thënë se ndërtimi i shtëpive do të ndihmojë që edhe më shumë njerëz të kthehen për të jetuar në këtë vendbanim.
Ahmeti rrëfen se para tri vjetësh është vizituar nga një përfaqësues rus i një organizate për t’ia ndërtuar shtëpinë, mirëpo, siç tha ai, pasi ky ishte deklaruar se është shqiptar, ky përfaqësues dhe kjo organizatë nuk e kanë vizituar më kurrë.
"Edhe një organizatë tjetër e pjesës veriore, e cila kishte ndërtuar shtëpitë e romëve, më pati propozuar të më ndërtojë shtëpinë me kusht që unë të deklarohem se jam rom, mirëpo një kusht të tillë e kam refuzuar kategorikisht", tha ai.
Fjalë pothuajse të njëjta miradije dhe falënderimi për ata që kanë ndihmuar në ndërtimin e këtyre shtëpive shprehën edhe banorët tjerë të kësaj lagjeje.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Mehdi Bala, thotë se vitin e kaluar Kuvendi Komunal ka ndarë buxhet prej 300 mijë eurosh me qëllim që këto mjete të përdoren për rindërtimin e shtëpive me prioritet në pjesën veriore të qytetit.
“Vitin e kaluar kemi bërë rindërtimin e tre shtëpive në “Lagjen e Boshnjakëve”, ndërsa janë ndihmuar edhe katër familje tjera, dy nga këto me material ndërtimor për 75 metra katrorë dhe dy familje tjera janë ndihmuar pjesërisht”, ka thënë Bala, duke shtuar se vlera e investimeve në këtë lagje kap shumën rreth 76 mijë euro.
Sipas tij, edhe këtë vit është bërë ndarja e buxhetit, i cili ekskluzivisht do të përdoret për këtë lagje.
Në anën tjetër, Halil Ahmeti, pronar i kompanisë “Llamarina” në Mitrovicë, kompania e të cilit ka ndërtuar shumë shtëpi për banorët shqiptarë në veri, shprehet i lumtur që ka arritur të ndërtojë dhe në këtë mënyrë të mundësojë kthimin e shqiptarëve në atë pjesë të qytetit.
“Është kënaqësi për mua që kam arritur në një formë të jem pjesë e kontributit në procesin e kthimit të shqiptarëve në veri”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se në shumë raste dhe pa kompensim ka zëvendësuar dyert e drurit me ato të blinduara, dritaret e drurit me të plastikës etj., me qëllimin e vetëm që banorët të jenë sa më të kënaqur.
Derisa zyrtarët komunalë premtojnë vazhdimin e punimeve rreth ndërtimit të shtëpive në atë pjesë, banorët shqiptarë thonë se nuk kanë ndërmend t”i braktisin vatrat dhe shtëpitë e tyre.(ksp)