Vjen nota verbale nga Guinea-Bissau
Një delegacion nga Guinea-Bissau, i udhëhequr nga përfaqësuesi i presidencës së këtij vendi, kolonel Braima Sanha, po e viziton Kosovën. Qëllimi parësor i vizitës është zyrtarizimi i njohjes që ky shtet i ka bërë Kosovës më 13 janar të këtij viti.
Sanha ka sjellur notën verbale të njohjes, të cilën të shtunën mbrëma e dorëzoi në Ministinë e Jashtme të Kosovës. Më herët, gjatë ditës, delegacioni u prit në selinë e Aleancës Kosova e Re nga nënpresidenti Ibrahim Gashi.
Ai falënderoi përfaqësuesin dhe popullin e Guineas për mbështetjen që i kanë dhënë shtetit të Kosovës nëpërmjet njohjes. Sipas Gashit, Kosova në rrugën e saj të shtetndërtimit ka nevojë për mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Ai përmendi se ekipi lobues i Behgjet Pacollit po punon edhe me disa vende të kontinentit të Afrikës, prej nga shpejt priten edhe njohje të tjera.
Ndërkaq, Sanha shprehu respektin që ka për popullin e Kosovës. “Ne kemi mbështetur vullnetin legjitim të këtij populli për pavarësi”, tha ai.
Sanha u shpreh i gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën edhe në të ardhmen.