Dëshmoni se s’keni dështuar
Ish-diplomati amerikan, James Hooper, ka thënë se nëpërmjet institucioneve efektive, Kosova duhet të dëshmojë se po ecën përpara dhe se nuk është shtet i dështuar. Gjatë një interviste për REL, Hooper ka thënë se rezoluta e fundit e Këshillit të Europës për Kosovën nënkupton se ka dyshime të konsiderueshme mbi këto akuza dhe njerëzit duan që këto akuza të hetohen.
“Kjo do të thotë se Kosova ka humbur pozicionin ndërkombëtar. Këto akuza e kanë dëmtuar shumë reputacionin e Kosovës. E kuptoj që në mesin e kosovarëve ka zemërim për këtë çështje dhe njerëzit vendosmërisht besojnë se akuzat nuk janë të vërteta. Por, e gjitha që them unë është se nëse shkoni jashtë Kosovës dhe shikoni se çfarë janë qasjet në Europë, ato dallojnë shumë nga qasjet këtu në Kosovë. Pritjet janë që këto akuza të hetohen dhe trajtohen në mënyrën e duhur”, ka thënë Hooper.
Sipas tij, kjo çështje është më shumë europiane, ngase Kosova është shtet europian dhe duhet të kuptojë se ka nevojë për një qeveri, e cila është e respektueshme ndërkombëtarisht, në mënyrë që të rindërtohet reputacioni dhe pozicioni që ka pasur, posaçërisht në Europë.
“Raporti i Martyt, sikundër edhe raportet për manipulim votash gjatë zgjedhjeve të dhjetorit, kanë filluar të krijojnë përshtypjen se Kosova është në rrugë e sipër për t’u bërë shtet i dështuar. Ky është problemi. Prandaj, Kosova duhet të dëshmojë, nëpërmjet institucioneve që ka, efektivitetin e këtyre institucioneve dhe veprimet e tyre - posaçërisht veprimet - se nuk është shtet i dështuar, se po ecën përpara dhe po bëhet gjithnjë e më i integruar në komunitetin europian. Për këtë janë të nevojshme institucione që funksionojnë në mënyrë efektive”, ka thënë Hooper.
Ish-diplomati amerikan nuk beson se bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të prodhojnë rezultate dhe se do të jenë të mirëpritura në Beograd dhe, mbase, edhe nga disa vende anëtare të BE-së, të cilat i kanë nxitur këto bisedime.
“Unë jam sinqerisht shumë skeptik se këto bisedime do të sjellin rezultate, që do të ishin në interesin më të mirë të Kosovës. Kjo do të jetë një çështje problematike. Mendoj se këto bisedime do të jenë problematike për Kosovën”.
Por, sipas Hooperit, nëse populli kosovar ndjen se një zgjidhje i është imponuar, duke qenë në favor të interesave të Beogradit dhe e imponuar nga BE-ja, atëherë do të hapen shumë çështje me potenciale destabilizimi.