Zgjedhjet në PD, në janar pritet zgjerim i Sekretariatit, emrat favoritë
Eljona Ballhysa
Në mesin e muajit të ardhshëm do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, që do të votojë për Kryesinë e re të Qendrore të PD-së, si dhe për sekretarët e rinj. Burimet nga selia blu bëjnë të ditur se në këtë mbledhje do të ketë një zgjerim të kupolës drejtuese të PD-së, duke nënkuptuar se do të shtohen postet e sekretarëve. Sipas burimeve, ka shumë mundësi që të shtohet posti i sekretarit Politik, një post ky mjaft i rëndësishëm në parti të tjera, por që nuk ka ekzistuar më parë në PD. Po kështu, burimet i rikthehen edhe njëherë idesë që është diskutuar për shtimin e sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD. Ky sekretar do të jetë përgjegjës për organizimin e strukturave të PD-së gjatë fushatave zgjedhore. Pritet gjithashtu që të shtohet edhe një post nënkryetari, duke e bërë PD-në me tre nënkryetarë. Që të gjitha këto ide janë diskutuar më parë në selinë blu dhe pritet të rikthehen në qendër të diskutimeve në mesin e muajit janar. Zgjerimin e Sekretariatit të PD-së e konfirmoi vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë konferencës së fundit për shtyp, ku bëri analizën e 100 ditëve të para të qeverisjes së PD-së.
Deklarata
Kryeministri tha se javën e dytë të muajit janar do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. Gjatë kësaj mbledhjeje, sipas tij, do të zgjidhet Kryesia e re Qendrore e Partisë Demokratike dhe Sekretariati. Berisha tha se kjo mbledhje do të sjellë mjaft risi. Ai theksoi se do të ketë një zgjerim të Sekretariatit të Partisë Demokratike, duke nënkuptuar shtimin e posteve të reja. Berisha gjithashtu shtoi se gjithçka do të jetë transparente dhe do të bazohet nga vota e lirë e anëtarëve të PD-së. “Këshillin do ta mbledh në javën e dytë të muajit janar, ku do të zgjidhet Kryesia dhe sekretarët. Do të ketë një numër të zgjeruar sekretarësh. Do ketë risi”, - është shprehur kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike.
Emrat
Burimet nga selia blu bëjnë të ditur se janë një sërë emrash që pritet të marrin poste të rëndësishme në parti. Sipas burimeve, kryetari i PD-së do të zgjerojë rrethin e drejtuesve të partisë, duke përfshirë në kupolë përfaqësues nga të gjitha grupet e mendimit në parti. Pra në listë nuk do të jenë vetëm anëtarë të qeverisë, por edhe deputetë, apo anëtarë të Këshillit Kombëtar. Në listë do të jenë emrat e mbështetësve të Berishës, Topallit, por dhe të tjerë. Ajo që nuk ndryshon në PD është Kryesia e vogël, ky përfshihet kryetari, nënkryetarët dhe sekretari i Përgjithshëm. Megjithëse për këtë të fundit, pra për postin e sekretarit të Përgjithshëm, mund të ketë kandidatura, por, sipas burimeve, këtë post do të vazhdojë ta mbajë Ridvan Bode. Burimet citojnë se ka shumë mundësi të shtohet një post i tretë nënkryetari, që është paramenduar për ish-kryetarin e PDR-së, aktualisht ministër Shteti, Genc Pollo. Më tej, sipas tyre, kandidatë të fortë për postet e sekretarëve janë Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Arben Imami e Besnik Mustafaj. Megjithëse janë ministra, pritet që këto figura të PD-së të marrin një pjesë të “timonit” drejtues të PD-së. Gjithashtu, mendohet që të krijohen hapësira për kandidimin e figurave të tilla si Besnik Mustafaj. Burimet bëjnë të ditur se pritet të ketë një rinovim të Sekretariatit dhe futjen e emrave të rinj. Kështu, pritet të largohen disa prej figurave historike të PD-së, megjithëse nuk citohen emra. Ndërsa përsa u përket të rinjve që do të përfshihen në garë, shikohen si favoritë për të marrë poste Edi Paloka, Mesila Doda, Albana Vokshi e Gazmend Oketa.
Emrat e rinj
Sokol Olldashi
Arben Imami
Lulzim Basha
Besnik Mustafaj
Genc Pollo
Gazmend Oketa
Albana Vokshi
Mesila Doda
Edi Paloka
Sekretariati aktual
Ridvan Bode
Sekretar i Përgjithshëm
Astrit Patozi
Nënkryetar
Jozefina Topalli
Nënkryetare
Ilir Rusmali
Sekretar për Çështjet Ligjore
Ferdinand Poni
Sekretar për Pushtetin Lokal
Gerti Bogdani
Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë
Ilir Bano
Sekretar i Burimeve Njerëzore
Flamur Noka
Sekretar Organizativ
Gent Strazimiri
Sekretar për Partneritet
Edmond Spaho
Sekretar për Ekonominë
4 Janar 2000