Berisha takon familjarët e ushtarëve shqiptarë që ndodhen në misione paqeruajtëse
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në një ceremoni festive të organizuar me familjet e ushtarakëve shqiptarë që ndodhen të shpërndarë në misione paqeruajtëse nëpër botë. Duke shprehur mirënjohje për realizimin e detyrës së vështirë në Afganistan, Çad e Bosnjë, kryeministri Berisha falënderoi ushtarakët shqiptarë dhe u përcolli prindërve, bashkëshortëve dhe fëmijëve të pranishëm ndjenjën e lartë të krenarisë që kombi dhe qeveria shqiptare ka për familjarët e tyre jashtë atdheut. Gjatë këtij aktiviteti u realizua edhe një bisedë telefonike mes kryeministrit Berisha dhe major Abaz Bregut, që shërben në Herat, në Afganistan, si dhe major Besim Çelës, me detyrë në Çad, ku shkëmbyen falënderimet dhe urimet me rastin e festave të fundvitit. Kryeministri vlerësoi lart punën e bërë nga ushtarakët shqiptarë në misionet paqeruajtëse nëpër botë. “Sot ne jemi mbledhur këtu për festuar pak çaste së bashku, por gjithashtu për të nderuar baballarët, bashkëshortët, djemtë tuaj, vajzat tuaja, të cilët janë sot në një detyrë, më të rëndësishmen. Sakrifica e tyre është edhe ajo një kontribut i kësaj feste që ne bëjmë sot këtu. Ne jemi mbledhur sot të urojmë së bashku një vit të gëzuar, një vit me suksese, një vit plot shëndet për fëmijët, bashkëshortët, prindërit, familjarët e ushtarakëve tanë në misione jashtë shteti”, - është shprehur Berisha.
4 Janar 2000