E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi nderohet me çmimin “Njeriu më i suksesshëm i 2009-s”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori dje çmimin “Njeriu më i suksesshëm i vitit 2009” nga Shijak Televizion. Kreu i shtetit u votua nga teleshikuesit e shumtë të emisionit “FORUM”, i cili është transmetuar çdo ditë drejtpërdrejt përgjatë gjithë muajit dhjetor. Ky çmim iu dorëzua presidentit Topi nga drejtuesja e këtij emisioni, Eliana Hoxha, gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Presidencë. Pasi mori në dorëzim certifikatën që e shpallte “Njeriun më të suksesshëm të vitit 2009”, presidenti Topi shprehu falënderimet për qytetarët që kanë votuar. “Sinqerisht ndjehem i emocionuar, ndjehem i lumtur që më akordohet një çmim i tillë nga publiku i TV Shijak, i cili mbetet për ne qeliza e parë e medias private në Shqipëri. Sot, natyrisht, ka shumë kanale televizive, radiofonike, por njeriu duhet të dijë ta kthejë kokën mbrapa për të parë se si është ngritur kjo ndërtesë kaq e rëndësishme”, - është shprehur presidenti. Duke përfituar nga rasti, kreu i shtetit shqiptar bëri një urim për të gjithë shqiptarët. “Dëshiroj që t’u uroj të gjithë shikuesve të televizionit tuaj një vit të mbarë! Një vit ku të kenë mundësi që të punojnë, sepse vetëm nëpërmjet punës do të rrisin standardet e tyre ekonomike dhe u uroj të gjithë shqiptarëve, nëpërmjet televizionit tuaj, që viti 2010 të jetë një vit i suksesshëm për ne!” - është shprehur Topi.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›