E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, virusi A/H1N1, pandemia më e butë e parë ndonjëherë



Në rast se agresiviteti dhe ecuria e virusit A/H1N1 do të jetë me këto ritme, atëherë kjo është pandemia më e butë e parë ndonjëherë. Specialistë infektologë në SHBA, si një prej vendeve më të prekur nga ky virus, kanë publikuar një raport ku theksojnë se nëse pandemia vazhdon me këto ritme deri në fund të dimrit, nuk kemi pse të kemi frikë.

Raporti

Së fundmi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë doktorët infektologë kanë shprehur gjykimet e tyre në lidhje me rrezikshmërinë që paraqet virusi pandemik në botë. Sipas raportit të publikuar në revistën mjekësore “PLoS Medicine” thuhet: “Në rast se zhvillimet e këtij infeksioni do të jenë sikur tani, mund të themi me plot gojë se kemi të bëjmë me një epidemi me intensitet mesatar”.

Doktoresha infektologe, Ira Longini, pjesë e Universitetit të Uashingtonit në Siatëll, e cila po merret me përpunimin e të dhënave të rasteve me virusin A/H1N1 dhe vdekshmërive deklaron: “Raporti mes rasteve simptomatike dhe të vdekurve nga ky virus është më i ulëti në krahasim me tri pandemitë e fundit që kanë qarkulluar”.

Epidemiologu Marc Lipsitch i Universitetit të Harvardit thotë: “Jemi pa diskutim përballë një prej epidemive më të lehta që kanë kaluar deri tani”. Sipas përllogaritjeve të tij, vdekjet për shkak të virusit mund të lëvizin nga 10.000 deri në 15.000 dhe në skenarët më të këqij të mundshëm mund të shkohet deri në 60.000. Ndërkohë që me shfaqjen e parë të këtij virusi studime të ndryshme parashikonin se numri i rasteve të vdekur nga pandemia mund të shkonte nga 30.000 deri në 90.000.

Nga ana tjetër, ekspertë të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive (CDC) vënë re se përballë një pandemie globale vdekjet në përgjithësi janë në numër të ulët, por ato tek fëmijët janë në numër të lartë, çfarë mund të thuhet se është një tragjedi. Ndërsa parashikojnë se pas festave të fundvitit mund të ketë një valë të tretë të virusit.

Situata

Por deri tani në vendin tonë është shënuar vetëm një rast vdekjeje nga ky virus, ndërsa rastet e të prekurve arrijnë deri në 100. Mjekët infektologë dhe qendrat shëndetësore raportojnë se në spitalet e vendit paraqiten deri në 60 raste me virusin pandemik dhe 50 me gripin sezonal. Sipas mjekëve, situata në vend nuk është alarmante. Madje, së fundmi në spitalin e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është hapur pavijoni i Reanimacionit, i cili do t’u vijë në ndihmë jo vetëm pacientëve në gjendje të rëndë nga sëmundjet infektive, por edhe atyre që paraqiten në gjendje të rëndë nga virusi pandemik A/H1N1.

Kukës

Dy raste me A/H1N1

Në qytetin e Kukësit shënohen dy rastet e para me të prekur nga gripi A/H1N1.

Sipas mjekëve infeksionistë, janë konfirmuar analizat në Tiranë për dy pacientët e shtruar në repartin e Infektivit në Kukës që prej 5 ditësh. Sipas mjekëve, viroza është në qarkullim tek popullsia e Kukësit, pasi të dy të prekurit janë nga zonat e thella të këtij rrethi dhe nuk kanë pasur kontakte me persona të cilët vijnë nga jashtë shtetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›