Raportimi zyrtar i INSTAT/Eksportet rriten me 18.1%, importet 6.2%
Eksportet në muajin shkurt 2010 u rritën me 50.5% dhe importet u ulën me 4.2%, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2009
Në Shkurt 2010 u eksportuan 11,3 miliardë lekë mallra, me rritje 18.1 përqind në krahasim me Janar 2010 dhe rritje me 50.5 përqind në krahasim me Shkurt 2009. Gjatë kësaj periudhe u importuan 32 miliardë lekë mallra me rritje 6.2 përqind në krahasim me Janar 2010 dhe ulje 4.2 përqind në krahasim me Shkurt 2009. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 20,7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.7 përqind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 20 përqind krahasuar me Shkurt 2009.
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 68.3 përqind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 59.7 përqind dhe importi 29.4 përqind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5 përqind dhe importi 11.9 përqind.
Krahasimi me muajin paraardhës: Eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 58 përqind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 36.8 përqind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 33.8 përqind, etj. Ndërsa eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u ul 27.3 përqind, etj. Importi i grupit “Prodhime druri dhe letre” u rrit 25.9 përqind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 20 përqind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 13.4 përqind, etj. Ndërsa importi i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u ul 5.8 përqind, etj.
...