E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportuesit e APKE-së: Mos krijoni tension politik, në zgjedhjen e presidentit

Konferenca për shtyp

Dy bashkë-raportuesit, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco kujtuan se Shqipëria do të njihet pas zgjedhjes së presidentit me raportin që do të hartohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbi bazën e fakteve të mbledhura nga vizita e tyre.

Në këtë mënyrë ata nuk ishin në gjendje të jepnin një përfundim që të identifikonte KiE-n lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ata kërkuan që së paku procesi të mos shkaktonte tension politik. Për zgjedhjen e presidentit të zbatohet Kushtetuta dhe të mos krijohet tension mes forcave politike, tha

Raportuesi për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti moldav Grigore Petrenco në konferencën për shtyp të mbajtur në përfundim të misionit faktmbledhës në Shqipëri është shprehur se për zgjedhjen e presidentit duhet parë përtej rajonit.

Nuk ka asgjë për të mësuar nga vendi im. Në rajon gjithashtu nuk rekomandoj se mund të nxirrni ndonjë mësimi, se është i njëjti problem, tha Petrenco.

Lidhur me 21 janarin Tomas Jirsa është shprehur se duhen lejuar institucionet që të veprojnë në mënyrë të pavarur. Institucionet duhet të lihen të pavarura në hetime, për të nxjerrë rezultatin, tha deputeti çek.

Dy bashkë-raportuesit vlerësuan klimën politike, krahasuar me atë të vizitës së tyre të mëparshme në qershor 2011. /F.S/

Berisha me raporterët e APKE-së, shmang 21 janarin

Në takimin ndërmjet Berishës dhe dy bashkë-raporterëve të APKE-së janë diskutuar çështjet e ditës së politikës dhe çështjet që janë nën monitorim nga Këshilli i Evropës.

Berisha të paktën në njoftimin zyrtar nuk ka diskutuar me raporterët lidhur me ngjarjen e 21 janarit. Në njoftimin për shtyp të servirur nga kryeministria kjo çështje është anashkaluar plotësisht.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit është diskutuar për reformën zgjedhore për të cilën Berisha është zotuar se do të mbyllet me sukses dhe se do të adresohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, kreu i qeverisë është shprehur se ndryshimet Kushtetuese kanë shmangur faktorin krizë politike dhe ka siguruar se zgjedhja e kreut të shtetit do të bëhet në përputhje të dokumentet themelor të shtetit. /F.S/

Topi-raporterët: Të mbrohen të drejtat dhe pavarësia e institucioneve

Takimi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është takuar me dy raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, të cilët shoqëroheshin nga Sekretari i Komisionit të Monitorimit të APKE-së, Bas Klajn. Ata ndodhen në Tiranë në një vizitë 3-ditore, me qëllim mbledhjen e fakteve rreth detyrimeve që i rrjedhin Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Evropës.

Mes presidentit dhe delegacionit të APKE-së është diskutuar mbi zhvillimet më të fundit politike si edhe për hetimet e ngjarjes së 21 janarit.

Topi me delegacionin e APKE-së

Për këtë çështje siç thuhet në njoftimin e Presidencës ata ndanë të njëjtën pikëpamje se në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës.

Delegacioni i APKE-së ka nënvizuar se Këshilli i Evropës është i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike duke shtuar se dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Ina Rama – raporterëve: Jemi të vendosur për zbardhjen e “21 janarit”

Dy raporterët e KiE-së, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco janë takuar po sot dhe me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Në qendër të bisedës mes tyre kanë qenë hetimet mbi ngjarjen e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin.

Kryeprokurorja është shprehur se organi që ajo drejton mbete e angazhuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë dy fenomene shqetësuese për shoqërinë shqiptare.

Lidhur me çështjen e 21 janarit, Rama është shprehur se prokuroria është e vendosur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.

Meta: E meritojmë statusin kandidat

Takimi me Metën

Në takimin që raporterët e KiE-së patën me kreun e LSI-së Ilir Meta janë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Meta është shprehur se vlerëson krijimin e klimës pozitive mes forcave politike në vend duke shtuar se qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë klimën e panevojshme konfliktuale dhe polarizuese me të cilën u përballën gjatë dy viteve të fundit.

Meta e ka konsideruar marrjen e statusit konditat për anëtarësimin në BE, brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit. Në këtë prizëm ai është shprehur se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›