Rapsodia e vazhdimësisë
Ilir Mborja / Qytetar, Greqi
Më '92-in, në hollin e hotelit "Skampa" në Elbasan takoja për herë të parë aktorin e famshëm kosovar Enver Petrovcki. E kisha njohur pas shfaqjes së "Idioti"-t të Dostojevskit që ai kish dhënë një natë më parë në skenën e teatrit të qytetit tonë. Merrej vesh menjëherë që kishe të bëje, jo vetëm me një virtuoz të vërtetë në fushën e aktrimit, por edhe me një intelektual mendje hapur. Bashkë me mua në këtë takim me aktorin e madh ndodhej edhe një gazetare e re që pretendonte se vinte nga shtresat e përndjekura. Bisedën tonë për teatrin dhe artin në përgjithësi e ndërpreu fare pa lidhje kjo gazetare me pyetjen, për të cilën u duk se kishte ardhur aty: "Ç'do të bënit ju kosovarët po të kishit Enver Hoxhën?" Dhe po vetë shtoi: "Ju flitni kështu se nuk keni pasur mbi krye një të tillë...". Përgjigjja e Enver Petrovcit ishte e atypëratyshme dhe jo pa nervozizëm: "Enver Hoxha nuk mund të lindte në Kosovë". Më pas sikur të fliste me vete, shtoi: “Asnjë popull i qytetëruar nuk i mitizon pushtetarët, ndërsa ne (këtë herë futi edhe të vetët) ngremë idhuj edhe prej balte...". Pyetja "idiote" kishte funksionuar për të marrë atë përgjigje që më vuri në mendime. Dhe në heshtje i dhashë plotësisht të drejtë aktorit që padrejtësisht i kishin vënë emrin e atij që e urrente më shumë. Enverit tonë. A nuk ishim ne shqiptarët që i kishim kën-duar gjithë dëshirë e servilizëm të pështirë diktatorit?! E tregova këtë se, fatkeqësisht më duket që akoma edhe sot ne kemi nevojë për të nxjerrë mësime nga ky episod i vogël. Them fatkeqësisht, sepse është e dhimbshme të vëresh (dhe nuk gjej asnjë arsye) që edhe sot e kësaj dite të kenë vend në kokat tona idhuj të tillë. Dhe ç'është më e keqja ky mentalitet prej skllavi për idhullin e gjallë Sali Berisha po dëgjohet të përdoret si armë kryesore nga të dy kandidatët që garojnë për ta zëvendësuar. Po a kanë faj këta, Lulzim Basha e Sokol Olldashi që i mëshojnë premtimit për vazhdimësi në rrugën e Sali Berishës? A nuk bëri kështu edhe Ramiz Alia me kongresin e famshëm të vazhdimësisë, megjithëse pa rival, për postin që i kish lënë Enver Hoxha? Po të mos ishim ne që "këndonim në kor" rapsodinë e "yllit që ndriçonte botën" a do t'i mëshonte avazit të vazhdimësisë ai? Kush ishte idioti në këtë mes? Kështu shpjegohet edhe kuraja e atyre që organizuan mitingun butaforik të pas 2 korrikut të '90-ës, kur na përfillnin për syleshë dhe afishonin parullën: PARTIA - SHQIPËRIA. Ajo parullë nuk mund të quhej idiote siç ishte në të vërtetë. Për idiotë ata që e shpallnin na merrnin ne. Ata na yshtnin drejt harresës për të vërtetën më të padis-kutueshme, më të thjeshtë, se Shqipëri kish pasur edhe para Partisë - shtet të tyre, për të nënkuptuar se kinse nuk do të kishte më, po të ikte ajo. Dhe kjo mu në sheshin "Skënderbej". Edhe bronzi i kalit të heroit atë ditë skuqte nga turpi i kësaj parulle. Ndërsa ne jo. Pra sot, unë mendoj se është e kotë t'u biem në qafë dy garuesve për kreun e PD-së. Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi nuk kanë faj për këtë. Ata duan ta fitojnë këtë garë... dhe kjo armë u jep rezultat. Por efikasiteti i kartës së vazhdimësisë nxjerr zbuluar mendësinë e atyre që do të votojnë më 22 korrik... Ndërsa Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi mund të fajësohen vetëm pse garojnë, ndërkohë që ia lejojnë vetes të shpallen dishepuj të Berishës. Këtu fillon e mbaron faji i tyre për mua. Për sa kohë që Lulzim Basha do të jetë kryetar i Partisë Demokratike pas 22 korrikut, me ndihmën e fshehtë të Berishës dhe me këtë platformë që po e përdor më shumë se rivali i tij Olldashi, veç të tjerash, do të përmendet edhe si një njeri që për të arritur ambicien e tij egoiste mu në fillim të mijëvjeçarit të tretë, jo vetëm që "i thotë derrit dajë", por gjithë kënaqësi premton të vazhdojë rrugën e "derrit". Pyetjes gati retorike që shtron Zef Brozi tek titulli i shkrimit të tij në "Shqiptarja.com": "Rilindje, Fillim i Ri, apo Vazhdimësi në PD?", pa më të voglin dyshim, fatkeqësisht i përgjigjet vetëm kjo e fundit: “Vazhdimësia”. Po ashtu, edhe thirrja e tij po në këtë shkrim se "fitorja shumë e thellë e koalicionit “Për Shqipërinë Europiane” është jo vetëm një shans i rrallë për Rilindjen e Shqipërisë nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, por edhe një mundësi që humbësi i Madh, Partia Demokratike e sunduar nga klani i Sali Berishës, të reflektojë realisht, të Rilindë duke iu kthyer idealeve të pastra të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, prej së cilës ajo edhe lindi", do të bjerë në vesh të shurdhët. Demokratët shqiptarë e kanë të humbur këtë shans për dy arsye. Dhe të dyja fatale: Së pari ne trashëgojmë mentalitetin e idhullit. Ne kemi aftësinë (fatkeqësinë) të ngremë mite prej balte (ja ku na ndihmon episodi me Enver Petrovcin). Së dyti, Zoti i ka falur me bollëk vendit tonë njerëz si Lulzim Basha e Sokol Olldashi, që me një konformizëm thuajse organik, duke u afishuar si kandidatë në garën për kreun e PD-së, bllokojnë procesin e rilindjes të Partisë së idealeve të Dhjetorit '90. Kjo mendoj se u duhet bërë e qartë atyre që do të votojnë më 22 korrik për kryetarin e ri të PD-së. Atyre që do të votojnë më 22 korrik duhet t'u thuhet paraprakisht se: Kujdes! Mos u hutoni! Idiotë nuk janë ata që luajnë në skenën e teatrit rolin e idiotit. Prandaj, po të qe për vazhdimësi, mbani atë që kishit, se mirë e kishit. Lëre se ç'thoshin socialistët, jo gjyshi po katragjyshi. Nuk e kish aty të keqen Saliu. Vitalitetin e 70-vjeçarit nuk e kanë as të dy kandidatët bashkë, Basha dhe Olldashi. Ai, ashtu si Enveri, herë - herë na bënte edhe për të qeshur... Dhe mos harroni, lëreni se ç'thotë Saliu! Shqipëri ka pasur edhe para PD-së dhe do të ketë edhe pas saj. Veç PD nuk do të keni më, pas 22 korrikut.