E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kundër Topallit në Kushtetuese, seanca më 16 shkurt

Luis Tanushi

Konfliktet e tejzgjatura mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës kanë detyruar këtë të fundit ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për tu shprehur me një vendim që ndan qartë kompetencat e dy institucioneve. Baza e konfliktit është emërimi i anëtarëve të vetë Gjykatës Kushtetuese, një proces ky që ka mbetur pezull prej shumë muajsh pasi mazhoranca refuzon të miratoë kandidaturat e Presidentit Topi. Çështja do të shqyrtohet më datë 16 shkurt nga Gjykata Kushtetuese.

Në tetor 2011, mazhoranca me 72 vota miratoi projekt-vendimin, i cili i riktheu Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dekretet e propozuara prej tij për zëvendësimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nismë, indirekt u shtoi me nga tre vjet mandatin 1/3 së anëtarëve, të cilët duhet të ishin ndryshuar. Veprimi i mazhorancës thelloi konfliktin institucional mes Presidentit dhe Parlamentit.

Pak ditë më pas Presidenti, përmes një kërkese të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkoi zgjidhjen e konflikteve me Kuvendin dhe Shfuqizimin e vendimit nr.106, datë 23.06.2011 të Kuvendit të Shqipërisë; Zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe atij të Kuvendit. Sipas kreut të shtetit, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për hapjen e rrugës mbi emërimin e tre anëtarëve të rinj. Padia që drejtohet nga Bamir Topi, mbështetet në vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për interpretimin e nenit 125 pika 3 të dokumentit themeltar të shtetit. Megjithëse mandati i tre anëtarëve mbaroi në muajin maj të vitit 2010, Admir Thanza, Petrit Plloçi dhe Xhezair Zaganjori, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. Mungesa e zëvendësimit të tyre ka ardhur si pasojë e përplasjes Kuvend Presidencë.

Për të shmangur anësinë e Gjykatës Kushtetuese, ligjvënësi ka parashikuar në dokumentin themeltar të shtetit që përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj. Në zbatimin e nenit për zëvendësimin e anëtarëve është Kuvendi institucioni që ka penguar zbatimin e Kushtetutës. Sipas juristëve të presidencës, krahas bllokimit të procesit, mazhoranca theu sërish vendimin e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, e cila vlerëson se parashikimi i nenit 125/3 të Kushtetutës përbën një parim organizativ, i bazuar në veçoritë specifike të procesit kushtetues dhe që ka për qëllim ruajtjen në përbërje të Gjykatës Kushtetuese të një shumice prej dy të tretave të anëtarëve në detyrë, duke bërë të mundur krijimin e një përvoje juridike të posaçme në fushën e gjykimit kushtetues.

Kjo përvojë e përftuar nga Gjykata, duke qenë se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimmarrjes së saj, konsiderohet një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta. Gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm, për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës, është kompetencë e ligjvënësit kushtetues, – udhëzon organi kushtetues. Edhe pas këtij vendimi mazhoranca nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj, ndërkohë që konflikti me kreun e shtetit është thelluar edhe më shumë.

Kthimi i tre dekreteve të Topit

Në tetor të vitit të kaluar Kuvendi ktheu mbrapsht tre emrat e dekretuar nga presidenti për në Gjykatën Kushtetuese duke iu shtuar mandatin e anëtarëve të vjetër edhe tri vite të tjera. Bllokimi i kandidaturave të Presidentit të Republikës është bërë nga Kuvendi duke mos marrë në shqyrtim emrat e paraqitur. Emrat ishin dërguar në Kuvend që në fillim të muajit shtator 2010, për tiu nënshtruar shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve dhe më pas për tu votuar në parlament, por demokratët e penguan ecurinë e procesit. Mazhoranca vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar nenet që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarëve të Kushtetueses dhe të Gjykatës së Lartë. Shqyrtimi i kësaj kërkese, pezulloi procedurat për zëvendësimin e anëtarëve të Kushtetueses nga parlamenti. Në përfundim të këtij procesi, gjykata shprehu mendimin se i takon Kuvendit të Shqipërisë që të gjejë dhe të zbatojë mekanizmin e përshtatshëm për të respektuar nenin 125 pika 3, në të cilën thuhet se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj. Megjithëse ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare, i cili është përfundimtar dhe i formës së prerë, sugjerimet e tij ende nuk kanë gjetur zbatimin e Kuvendit të Shqipërisë, duke lënë në vendnumëro zëvendësimin e anëtarëve.

Bllokimi që shtyn zëvendësimet

Mazhoranca e cila vendos axhendën e punimeve të parlamentit përmes shumicës që ka në të gjitha komisionet dhe drejtimin e Kuvendit, ka penguar procesin e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse kjo e fundit është shprehur me një vendim që Kuvendi të mundësojë zbatimin e ligjit, parlamenti vijon të bllokojë procesin, duke shtyrë në këtë mënyrë zëvendësimin e gjyqtarëve.

Kuvendi, përzgjedhje selektive

Në muajin shtator të vitit 2010, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, propozoi 4 emra për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese: Artan Hoxha, Fatmir Hoxha, Ardian Leka dhe Elvira Jorgaqi. Megjithëse PD vendosi që ti kthente dekretet me një projekt-vendim, mazhoranca bëri përjashtim vetëm për një emër, Fatmir Hoxha. Ky i fundit u përzgjodh nga mazhoranca në mënyrë selektive.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë për zëvendësimin e anëtarëve

Pjesa e tetë / Gjykata Kushtetuese

Neni 125

1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.

3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.

4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.

5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.

Interpretimin i nenit 125/3 sipas Gjykatës Kushtetuese

1. Parashikimi i nenit 125/3 të Kushtetutës përbën një parim organizativ, i bazuar në veçoritë specifike të procesit kushtetues dhe që ka për qëllim ruajtjen në përbërje të Gjykatës Kushtetuese të një shumice prej dy të tretave të anëtarëve në detyrë, duke bërë të mundur krijimin e një përvoje juridike të posaçme në fushën e gjykimit kushtetues. Kjo përvojë e përftuar nga Gjykata, duke qenë se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimmarrjes së saj, konsiderohet një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta.

2. Gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm, për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës, është kompetencë e ligjvënësit kushtetues.

Ata që ikin dhe kush propozohen

U ka mbaruar mandati

1. Admir Thanza

2. Petrit Plloçi

3. Xhezair Zaganjori

Propozohen nga Presidenti

1. Ardian Leka

2. Artan Hoxha

3. Edlira Jorgaqi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›