E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmussen: “Shqipëria dhe Bosnja, në qershor pa viza”

Autori i Lajmit: Redaksia

“Në qershor 2010, qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të lëvizin pa viza drejt Bashkimit Evropian”. Kjo ka qenë deklarata e Presidentit të Partisë Socialiste Evropiane, Poul Narup Rasmussen. Deklarata u bë gjatë Konferencës për Ballkanin të Partisë Socialiste Evropiane. Në fjalën e tij ai paraqiti vizionin e PES për zhvillimin dhe integrimin e rajonit. Ai theksoi midis të tjerave se në muajin qershor 2010, qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të lëvizin pa viza drejt Bashkimit Evropian. Ndër shumë liderë të partive të së majtës socialdemokrate të Evropës, në ketë konferencë merr pjesë edhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Kjo konferencë synon të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, duke marrë fjalën në panel, Ilir Meta evidentoi si tejet të rëndësishëm faktin që procesi i integrimit të rajonit duhet të vazhdojë pa ndërprerje dhe qytetarët e rajonit të prekin rezultatet e këtij procesi, veçanërisht lëvizjen e lirë drejt BE-së.
Meta theksoi se qeverisja progresiste për rajonin e Ballkanit do të thotë garantimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, punësimi dinjitoz për qytetaret, shërbime më cilësore për ta dhe veçanërisht për moshën e tretë.
Gjithashtu, Meta theksoi nevojën për tu fokusuar në projekte konkrete të përbashkëta të infrastrukturës, të cilat do ti shërbejnë rritjes së bashkëpunimit midis vendeve të rajonit. Duke folur për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, Meta solli në vëmendjen e auditorit realitetet e reja të krijuara, veçanërisht në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve. “Unë jam i vendosur,- theksoi Meta,- që, pavarësisht kritikave të artikuluara prej disa zërave pa ndikim në vendin tim, të vazhdoj më me këmbëngulje dhe vendosmëri për të përballuar sfidat evropianizuese dhe për të krijuar realitete të standardeve evropiane edhe në bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe serbëve. Meta u ndal më tej në fjalën e vet në domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, për të ndërtuar së bashku të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, gjë që kërkon, tha ai vizion të qartë dhe guxim politik.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›