E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov bisedë me Topin: “Greqia të ndryshojë qëndrim”

Autori i Lajmit: Redaksia

Incidenti i ushtrisë greke duket se këtë herë ka marrë trajtim në nivele më të larta. Presidenti i Maqedonisë ka shprehur keqardhje për thirrjet raciste greke ndaj vendeve fqinje siç janë Shqipëria e Maqedonia. Për incidentin në Athinë, Ivanovi ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me kolegun e tij shqiptar, Bamir Topin. Lajmi publikohet në agjencitë maqedonase. Presidenti i Maqedonisë vlerëson se nuk janë të mjaftueshme vetëm shkarkimet e përgjegjësve të thirrjeve antishqiptare dhe antimaqedonase në paradën ushtarake në Athinë, por duhen ndryshime në qasjen e Greqisë ndaj fqinjëve. “Me të vërtetë kjo më brengos, për shkak se në këtë kohë, një anëtare e BE-së dhe e NATO-s, akoma ka pjesëtarë të forcave të sigurisë, të cilët shprehin gjuhën e urrejtjes”,- deklaroi dje Ivanov. “Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që para kreut shtetëror të Greqisë, përfaqësuesit e forcave të sigurisë shprehin urrejtje. Është brengosës fakti se kësaj here janë lënduar ndjenjat edhe të maqedonasve dhe të shqiptarëve. Pikërisht për këtë dje, biseduam me presidentin shqiptar, Bamir Topi, dhe shprehëm brengosjen për këtë që po ndodh”,- deklaroi Ivanov.
Biseda
Gjatë bisedës telefonike mes dy krerëve të shtetit ka pasur tone keqardhjeje për këtë veprim të paprecedent të Greqisë, e cila, sipas Ivanovit, ka një qëndrim tepër të keq ndaj fqinjëve të saj. Ndërsa presidenti Topi i bëri të ditur presidentit Ivanov se e vlerëson si një ngjarje të izoluar, e cila nuk prek kurrsesi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe e konsideron atë si një çështje të tejkaluar, i bindur se marrëdhëniet mes vendeve tona po zhvillohen gjithnjë e më mirë në funksion të interesave të përbashkëta. Presidenti Topi ka vlerësuar ndjesën e autoriteteve greke për ngjarjen duke ndarë sjelljen e disa individëve nga sjellja institucionale. Presidenti Topi vlerëson se marrëdhëniet në rajonin ballkanik nuk duhet të influencohen nga ngjarje të izoluara.
Reagimet
Zyrtarët maqedonas kanë qenë më të ashpër në qëndrimin e tyre karshi Greqisë se autoritetet shqiptare. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë nuk ka pritur reagimin e ambasadores greke, por i ka kërkuar asaj llogari duke i shprehur që të merren masa ndaj këtij akti të rëndë dhe qeveria greke të kërkojë falje publike. Qëndrim i përafërt është mbajtur edhe nga pala shqiptare, por vetëm me një ndryshim, se pala shqiptare nuk kërkoi që qeveria greke të kërkonte falje, por e mbylli këtë incident me faljen që kërkoi ambasadori grek në vendin tonë.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›