G99, Mete: S’ka zgjedhje në këtë situatë
TIRANË- Kryetari i G99-ës, Ervin Mete, ka deklaruar se ngjarjet e fundit në vend janë tepër shqetësuese. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Mete tha se akuzat dhe sulmet që janë bërë mbi institucionet rrezikojnë demokratizimin e vendit. “I shohim shumë problematike sulmet që i bëhen institucioneve më të larta në vend, sulmet që i bëhen integritetit të Prokurores së Përgjithshme, sulmet që i bëhen Presidentit, simbolit të unitetit të Kombit, sulmit që i bëhen gazetarëve, shohim tejet problematik mos respektimin e urdhrave të prokurorisë, që është në thelbin e shtetit të së drejtës, dhe ndiejmë që demokracia dhe institucionet në Shqipëri janë të rrezikuara”, - tha Mete. Gjatë intervistës, Kryetari i G99 ka sqaruar edhe marrëdhënien e kësaj partie me PS-në. “Marrëdhëniet tona me Partinë Socialiste, bazohen mbi një koalicion vlerash dhe parimesh, nuk janë marrëdhënie të një koalicioni të pazgjidhshëm, por janë për një qëllim të përbashkët, për të sjellë një alternativë më të mirë qeverisëse në Shqipëri”, - tha ai. Mete e ka një përgjigje edhe për zgjedhjet vendore të 8 majit. “Ne nuk bojkotojmë asnjë garë elektorale që është e lirë ose e ndershme, por në kushtet aktuale, në këtë sulm që po i bëhet institucioneve, në këtë politizim që po i bëhet Policisë së Shtetit, që unë e shoh si regresin më sinjifikativ të dhjetë viteve të fundit, me refuzimin për t’i bërë transparencë zgjedhjeve të kaluara, ekziston një dyshim i qenësishëm që zgjedhjet e majit të jenë të lira dhe të ndershme. Nëse do të krijohet besimi dhe terreni që do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, absolutisht ne nuk do t’i trembemi asnjë gareje elektorale”, - tha ai.