E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen merr postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s

Ish-kryeministri i Danimarkës Anders Fogh Rasmussen ka marrë ditën e shtunë zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Rasmussen u zgjodh në këtë post në samitin e 3 dhe 4 prillit të këtij viti, që u mbajt në Francë e Gjermani, dhe pason holandezin Jaap de Hoop Scheffer, mandati i të cilit përfundoi më datë 31 korrik. Politikani me përvojë që di të kombinojë vendosmërinë dhe sensin e kompromisit, danezi Anders Fogh Rasmussen është një nga aleatët më të besueshëm të Uashingtonit në forcat e NATO-s përsa i përket angazhimit të Danimarkës në Irak dhe Afganistan.
Që nga zgjedhja në postin e kryeministrit në vitin 2001, Rasmussen u rendit përkrah George Ë. Bushit dhe u bë një nga miqtë tij të ngushtë.
Duke u shkëputur nga tradita paqësore e mbretërisë së vogël skandinave, ai e bëri Danimarkën të parin shtet pjesëmarrës të angazhuar në luftën në Afganistan.
Aktualisht kontribuese e parë në forcat e NATO-s në raport me numrin e banorëve, Danimarka është gjithashtu vendi që ka regjistruar humbjet më të mëdha në radhët e ushtarëve. Në mars të vitit 2003, Rasmussen angazhoi gjithashtu Danimarkën në luftën në Irak, me një mbështetje të plotë nga parlamenti.
Rasmussen është i pari kryeministër në detyrë që është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Aleancës. Ai për këtë fakt dha dorëheqjen nga funksioni i kryeministrit dhe vendin e tij e zuri ministri i Financave Lars Lokke Rasmussen.
Zgjedhja e Rasmussen si Sekretar i Aleancës së Atlantikut të Veriut u shoqërua me oponencën deri në minutat e fundit të Turqisë. Kundërshtimet e Turqisë, por kryesisht të botës islame vinin pas botimit të disa karikaturave të Profetit Muhamed nga një revistë daneze në vitin 2005, gjë që hapi shumë polemika në atë kohë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›