E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmussen nis sot vizitën zyrtare në Tiranë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, do të vizitojë sot, për herë të parë Tiranën, ku pritet të takohet me autoritetet më të larta të vendit. Sipas axhendës së përcaktuar tashmë, mësohet se takimin e parë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës veriatlantike do ta ketë me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, me të cilin do të japë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas, Rasmussen do të pritet në Ministrinë e Mbrojtjes nga ministri Arben Imami, për të vijuar me takimin në kryeministri me Kryeministrin Sali Berisha, me të cilin do të ketë dhe një deklaratë për mediat. Axhenda e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s do të pasohet nga takimet me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministër i Danimarkës, u zgjodh në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës në prill 2009, gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Strasburg. Ai zëvendësoi në këtë post holandezin Jaap de Hoop Scheffer. Politikani me përvojë, i cili di të kombinojë vendosmërinë dhe sensin e kompromisit, danezi Anders Fogh Rasmussen është një nga aleatët më të besueshëm të Uashingtonit në forcat e NATO-s për sa i përket angazhimit të Danimarkës në Irak dhe Afganistan. Në mars të vitit 2003, Rasmussen angazhoi gjithashtu Danimarkën në luftën në Irak, me një mbështetje të plotë nga parlamenti. Pas më shumë se shtatë vitesh në krye të një qeverie të qendrës së djathtë, ky 56-vjeēar i rreptë, por karizmatik është njohur si një organizator i mirë dhe një strateg i dalluar, sipas komentatorit politik Hans Engell. Folës më i mirë i frëngjishtes sesa anglishtes, ai është i njohur më shumë për sensin e kompromisit sesa për vendosmërinë e tij. Rasmussen është i pari kryeministër në detyrë që është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Aleancës. Ai për këtë fakt dha dorëheqjen nga funksioni i kryeministrit. Ky ultraliberal njihet për pragmatizmin në politikën e jashtme. Suksesi i tij më i madh do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Lindjes, në dhjetor 2002 në përfundim të presidencës daneze të BE-së. Me profesion ekonomist, Rasmussen hyri në parlament në vitin 1978 duke u zgjedhur disa herë ministër në qeverinë e konservatorit Poul Schluter (1982-1993) dhe më pas kryetar i Partisë Liberale që prej vitit 1998. Me forcën e kompromisit, ai mori pushtetin në nëntor 2001 dhe e mbajti atë në sajë të mbështetjes së Partisë së Popullit Danez (ekstremi i djathtë).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›