Rasmussen uron ministrin Basha për detyrën e re

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i ka dërguar një letër urimi Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, me rastin e emërimit në këtë detyrë, bëri të ditur sot zyra e shtypit pranë Ministrisë së Brendshme. "Gjatë mandatit tuaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shqipëria përmbushi një synim të kahershëm të politikës së saj të jashtme, duke u anëtarësuar në NATO. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’ju përgëzuar për kontributin tuaj në këtë arritje kaq të rëndësishme", shprehet në letrën e tij z. Rasmussen. Tashmë, vijon letra e z. Rasmussen, Shqiëria është anëtar i plotë i një organizate sigurie, me një reputacion të pashoq në çështjet ndërkombëtare, një organizatë që mbledh së bashku një komunitet vendesh demokratike të zonës së Atlantikut të Veriut nëpërmjet angazhimit të saj për t’i dalë zot dhe për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehet i sigurt se edhe në pozicionin e ri Ministri Basha do të vazhdojë të punojë për këto vlera.
...