E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simulimi i krizës buxhetore të Kosovës

Trenat që hyjnë nga Serbia në Kosovë nuk i kontrollon askush. As policia, as dogana, as nëpunësit e EULEX’it. Nuk është fjala vetëm për kompozicionet që bartin udhëtarë, por edhe për mallrat Është ky ilustrimi më i mirë se sa legale është kontrabanda dhe evazioni fiskal. Njëkohësisht, vërehet se në veri të Kosovës, por edhe në enklavat tjera të banuara me popullatë serbe, autoritet tatimore të Kosovës nuk kanë qasje. Por, kjo nuk paraqet tërë gjeografinë e kontrabandës dhe të evazionit fiskal. Pika të tilla të zeza ka nëpër tërë Kosovën. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur shqetësimin për deficitin buxhetor të cilin mund ta ketë Kosova. Madje, ai përmend shifrën që vëllimi i deficitit ka gjasë të arrijë deri në 7 për qind të prodhimit të brendshëm, ose afër 280 milionë euro. Kjo gjendje, sipas këtij institucioni, mund të zbutet nëse pronari i PTK-së, në këtë rast Qeveria, tërheq tërë dividendin dhe e futë në buxhetin e shtetit. Mirëpo, FMN-ja nuk shqetësohet aq shumë me trenat e pakontrolluar, me pamundësinë e doganave që t’i mbulojë të gjitha pikat në Kosovë, apo edhe me kapacitetet dhe efikasitetin e Administratës Tatimore të Kosovës, ashtu që të arkëtohet çdo cent të cilin bizneset, apo individët, ia kanë obligim arkës së përbashkët. Në rrethana të zakonshme nuk duhet të jetë arsye për shqetësim rritja e shpenzimeve kapitale. Përmes tyre gjenerohet zhvillimi dhe punësimi, por me kusht që menaxhimi të jetë i mirë dhe me qasje racionale. Mirëpo, FMN’ja pikërisht aty e sheh rrezikun që rritja e shpejtë e këtyre shpenzimeve të mos përcillet edhe me të hyra buxhetore. Shqetësimi ka gjasë të jetë real pasi që në gjysmën e këtij viti bukur shumë është ngushtuar hapësira ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve, ndonëse ende figuron një plus prej mbi 20 milionë eurosh. Janë edhe premtimet shumë të mëdha të Qeverisë, si për mega-projekte, ashtu edhe për përmirësimin e standardit të punëtorëve në arsim, apo në shëndetësi. Qeveria do të ketë presione nga të gjitha anët për rritjen e pagave dhe do të ishte e padrejtë që të aplikonte qasje selektive brenda korpusit të 75 mijë punëtorëve që financohen nga buxheti. Prandaj, investimet në projekte që mund të jenë të barabarta me aventura, apo përdorimi i parasë publike për të mbajtur një rahati të rrejshme financiare, mund të shpijnë deri te minuset e mëdha në buxhet. Njëkohësisht, në Raportin e Progresit të Këshillit të Europës gjendja në Kosovë nuk duket aq e mrekullueshme sa përshkruhet nga qeveritarët, apo edhe në krahasim me atë çfarë kemi dëshirë ta shohim. Është shqetësues vëllimi i korrupsionit, i cili rrënon çdo qëllim të mirë për forcimin dhe funksionalizimin më të shpejtë të shtetit. Nëse shkojnë në rrugë të mbarë të gjitha proceset që ndërlidhen me paranë publike, atëherë Kosova nuk duhet të përjetojë krizë buxhetore. Ende ka shumë hapësirë të pambuluar dhe të pakontrolluar nga autoritetet tatimore. Disa ekonomistë mendojnë se është reale që kornizat e buxhetit për vitin e ardhshëm të jenë shumë më të mëdha se ato të sivjetme. Optimistët përmendin edhe mundësinë që të mbulohen edhe shpenzimet prej dy miliardë eurosh. Por, kjo kërkon një përgatitje krejtësisht tjetër. Nuk duhet të mënjanohet asnjë cent që është obligim tatimor. Të gjenden gjithë ata që kanë mundësi të paguajnë tatime dhe obligime të tjera, ndërsa të ndihmohen subjektet, apo individët, që vërtetë meritojnë përkrahje sociale. Në këtë mënyrë do të bëhej një shtrirje më e madhe e obliguesve tatimorë të cilët më lehtë do ta përballonin barrën fiskale. Kur rritet numri i tatimpaguesve atëherë ka mundësi që të ulen normat tatimore. Për fat të keq, kjo gjendje vetëm mund të imagjinohet, meqenëse në asnjë shtet nuk ndodh që të gjenden të gjithë obliguesit. Madje, në këtë rrafsh ndodhin ndryshime të shpejta dhe mekanizmi shtetëror e ka të vështirë t’i përcjellë ato. Posaçërisht në Kosovë. Qasja që paraja publike të sigurohet kryesisht nga pikat kufitare zbeh interesimin kah burimet e brendshme. Kjo do të thotë se obligimin për mbushjen e arkës së shtetit e kanë kryesisht importuesit. Në mënyrë indirekte, kjo barrë nuk iu mbetet bizneseve, por konsumatorëve – qytetarëve. Prandaj, duke zhvendosur burimet nga kufiri kah brendia përfitimet do të jenë të shumëfishta. Do të ketë zhvillim më të madh, më shumë punësim dhe do të rriten fitimet personale. Burim tjetër për anashkalimin e krizës buxhetore për të cilën flet FMN’ja është privatizimi i ndërmarrjeve publike, sado që është vështirë të thuhet se sa para mund të sjellin ato. Por, gabimi më i madh do të bëhej sikur këto para do të përdoreshin për t’i mbuluar minuset që burojnë nga luksi, keqmenaxhimi dhe korrupsioni. Qeveria e Kosovës ende nuk ka prezantuar një plan se çfarë do të bëjë me të hyrat të cilat do t’i ketë nga shitja e ndonjë pjese të PTK’së, KEK’ut, apo me dhënien në koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. A do të jenë para me të cilat do të rriten pagat, do të paguhen darkat dhe udhëtimet zyrtare, apo do të shkojnë për zhvillim dhe investime publike? Nëse ndodh kjo e fundit, atëherë privatizimi arsyetohet, në të kundërtën përfitimet do të jenë individuale. Elementi tjetër që do të krijonte qëndrueshmëri buxhetore është serioziteti i atij që i blen këto ndërmarrje dhe raportet kontraktuale që duhet të ndërtojë Qeveria e Kosovës. Nëse bëhet një marrëveshje ku i lejohet investitorit që të sjellë koncept kolonialist, atëherë kriza e buxhetit do të jetë e përhershme. Për tejkalimin e saj nuk do të mjaftojnë as 500 milionë eurot që Qeveria i mban nëpër bankat brenda e jashtë vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›