Dëshmitë dramatike të një ipeshkvi të Sudanit, i cili flet për kryqëzimet publike të të krishterëve
Në veçanti, tërhoqi vëmendjen e Sinodit për Afrikën, gjendja në Sudan, vend i ndarë me veriun kryesisht arab, që ka imponuar ligjin e Kuranit, e me jugun të krishterë animist. Zgjedhjet politike, të parashikuara me marrëveshjen e paqes 2005, duhet të zhvillohen brenda vitit 2010, ndërsa për vitin 2011 është fiksuar një referendum për vetëvendosjen e Jugut. Të gjitha këto mund të jenë në rrezik për shkak të dhunës së grupeve rebele, të lidhura me qeverinë e Khartumit. Kështu pohon në mikrofonin tonë, imzot Hiiboro Kusala, ipeshkëv i dioqezës jugore të Tombura Yambio, teatër sulmesh të vazhdueshme kundër të krishterëve: Këta rebelë, siç e shohim ne punën, po marrin ndihma nga qeveria e veriut, Të gjithë kanë pushkë, armë… Mendoj se duan ta lënë jugun e Sudanit në vështirësi, që të mos ketë paqen e nevojshme për të përgatitur referendumin e vitit 2011.
A sulmojnë edhe bashkësinë e krishterë?
Po. Më 13 gushtin e kaluar, rebelët hynë në kishën e famullisë sime dhe morën shumë persona peng. Ndërsa iknin në pyll, vranë shtatë prej tyre: i kryqëzuan nëpër pemë. Ka shumë drama si kjo. Disa prej rebelëve kanë mësuar nga Al Kaida në Afganistan: janë kundër Kishës. Plani i tyre është të frikësojnë të krishterët.
Të jetosh Ungjillin është e vështirë, mund edhe të martirizohesh…
Po. Ne po përjetojmë pikërisht këtë, pasi po vrasin njerëz, u djegin shtëpitë, kishat: ky është martirizim. Të krishterët kanë frikë. Por ne nuk duam të vdesim. Gjithçka ndodh përforcon fenë, njerëzit vazhdojnë të vijnë në kishë.
Sinodi për Afrikën: kontinenti të bëhet protagonist i fatit të vet/Afrikanët duhet të bëhen protagonistë të fatit të tyre: ky është urimi i sotëm i ipeshkvijve gjatë Sinodit II për Afrikën, që vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë e paqes. Sesioni i sotëm, i pesëmbëdhjeti, u karakterizua nga paraqitja e relacioneve të grupeve të vogla. Në praninë e Papës Benedikti XVI, etërit sinodalë filluan të përvijojnë tematikat e mundshme për t’u paraqitur në dokumentat përfundimtare të Asamblesë.
Sipas raportit të grupeve të vogla, puna e bërë deri tani është pozitive, por disa aspekte duhen nënvizuar më tepër. Të tilla janë nevoja për mbrojtjen e ambientit, dallimi më i mirë i thirrjeve të vërteta, vendosja e traditave afrikane në bazë të procesit të pajtimit. Pikërisht në këto tradita janë të pranishme shumë elemente pozitive, që mund të pajtohen me krishterimin, si riti i pranimit të fajit, ose premtimi për të mos rënë sërish në gabim.
Etërit Sinodalë sugjerojnë të përhapen më shumë tekstet, që informojnë mbi Doktrinën e Kishës në fushën e seksualitetit, kërkojnë kujdes më të madh baritor për punëtorët, për familjen dhe për gratë, duke përfshirë edhe rregulltaret. Gjithashtu, duhet vëmendje për fenomenin e magjisë, e cila dëmton rëndë shoqërinë afrikane, dhe për marrëdhëniet me Islamin, që duhen parë sipas rasteve, pasi myslimanët në Afrikë ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Më shumë hapësirë i duhet dhënë edhe problemit të emigracionit, parë në kuadrin e politikave ndërkombëtare dhe të rolit qendror të Kishës në mbrojtje të të drejtave të njeriut e të dinjitetit të tij. Përsëritet nevoja për të forcuar lidhjet ndërmjet Kishave lokale dhe asaj universale e për të arritur unitetin e plotë në ato organizma, që përmbledhin Konferenca të ndryshme Ipeshkvnore.
Më tej, etërit sinodalë kujtojnë rëndësinë e mas mediave për komunikimin kishtar e edhe për formimin e popullsisë: radioja e televizioni për shembull, mund të kontribuojnë për të përçuar vlerat e jetës familjare. Përsa u përket vendeve në krizë politike, në Sinod u tha që procesi i pajtimit duhet çpolitizuar e Kisha nuk duhet të jetë kurrë peng e konflikteve institucionale. Ajo duhet t’i shoqërojë krerët e vendit në ushtrimin e pushtetit, larg prej korrupsionit. Përveç kësaj, grupet e vogla të Sinodit kërkojnë edhe masa të vendosura kundër trafikut të armëve e të drogës e kundër pandemisë së Sidës, sidomos përmes ndryshimit të mënyrës së jetesës.
Theksohet më pas rëndësia e përkrahjes së shkollave dhe universiteteve katolike, e rregullave të forta për personat e shuguruar, për të cilët duhet menduar një formim i vazhdueshëm, e përfshirjes së laikëve në punën e ungjillëzimit.
Së fundi, etërit sinodalë sugjerojnë thirrjen e një Kongresi eukaristik kontinental, një takim panafrikan mbi gratë dhe ngritjen e një forumi për lutjen ndërfetare, pasi në një vend ku ka konflikte e dhunë, lutja e përbashkët është hapi i parë drejt paqes.
Marrë nga Radio Vatikani