E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri sfidat e Isa Mustafës për bashkinë e Prishtinës

Kryetari i tashëm i Prishtinës, Isa Mustafa, të enjten fillon garën për mandat të dytë për kryetar të Prishtinës, i përballur me tri sfida, të cilat do t’i nxjerrin telashe deri te akomodimi katërvjeçar në postin e prefektit të Prishtinës. Sfida e parë e parë është sfidë e brendshme brenda LDK-së. Isa Mustafa edhe në kandidimin e parë për kryetar të Prishtinës është përballur me disa heshtje e dyshime brenda një “klani” të caktuar në LDK që zënë vend edhe në Kryesinë e LDK-së. Duke e quajtur njeri të presidentit Sejdiu, kryetari Mustafa është përkrahur “me hile” nga disa individë të prapaskenës politikë brenda LDK-së. Kategoria e tillë e njerëzve brenda LDK-së, si mangësi të Isa Mustafës kanë përmendur mungesën e aktivitetit të tij partiak brenda LDK-së. Këta pëshpëritës kanë gjykuar dy vjet më parë se kandidati për Prishtinën duhet të ketë së paku 10 vjet “stazh” në LDK në mënyrë që të marrë besimin e elektoratit të LDK-së. Fitorja e bindshme e Isa Mustafës në zgjedhjet e vitit 2007, ua ka mbyllur gojën të gjithë këtyre fjalamanëve brenda strukturave të LDK-së.
Por Isa Mustafa edhe kësaj radhe sfidohet nga një kategori e tillë të njerëzve brenda LDK-së. Ai për gati një vit ka “luftuar” që të miratohet Ligji për Prishtinën, dhe tash kur po del se mungesa e këtij Ligji e ka penguar atë që të dyfishojë sukseset e tij në komunë (të dyfishojë edhe suksesin e LDK-së), sfiduesit e tillë brenda LDK-së kërkojnë tash që ky ligj të nxirret nga sirtarët e Qeverisë dhe të miratohet nga Kuvendi I Kosovës. Pra, pas një viti vonese ata tentojnë t’i ndihmojnë Isa Mustafës. Shtrohet pyetja, pse kjo kategori e sfiduesve të Isa Mustafës brenda LDK-së nuk kanë kërkuar më parë miratimin e këtij Ligji? Pse nuk kanë bërë zhurmë në Qeveri e në Kuvend? Pse ministri i LDK-së nuk e ka shpejtuar procedimin e këtij Ligji në Qeveri? LDK-ja është pjesë e Qeverisë dhe partia e dytë në Kuvend. Pra i ka pasur të gjitha mundësitë që të shpejtohet procedimin e këtij ligji dhe të fuqizojë Isa Mustafën në kreun e komunës. Pra ata janë zgjuar prej gjumit 5 minuta para orës 12! Vonë shumë vonë! Isa Mustafa nuk duhet të llogarisë shumë nga kjo kategori e sfiduesve të tij brenda LDK-së, janë hilexhinj!
Sfida e dytë e Isa Msutafës janë bashkëpunëtorët e tij në komunë. Ai për më shumë se një vit e gjysmë ka punuar me bashkëpunëtorë të imponuar nga partia e tij dhe nga partia e koalicionit PDK-ja. Pra kanë qenë njerëz të partisë e jo njerëz të tij apo të profesionit që ai kërkon. Të tillët gjatë këtij mandati kanë përfituar dhe nuk i kanë ndihmuar aq shumë Isës. Disa kanë përfituar ndonjë banesë (e kanë dëmtuar imazhin e Musfatës, sepse ato banesa kanë qenë të destiunuara për stafin civil e jo për drejtorët me mandat politik) disa nuk kanë lëvizur prej posteve të tyre tash e 7 vjet pas lufte, e disa kanë buzëqeshur prapa shpinës së tij në paraqitjet para mediave, por e kanë spiunuar të qarqet e ndryshme mediale e partiake që kanë qenë rivale të Isa Mustafës. Nga kjo kategori e bashkëpunëtorëve të tij, ai më shumë është penguar sesa ndihmuar. Isa Mustafa nuk duhet të llogarisë shumë nga kjo kategori e bashkëpunëtorëve të tij, janë profiterë!
Dhe sfida e tretë e Isa Mustafës janë rivalët e tij për kandidatë të Prishtinës. Nëse bëjmë një krahasim nga zgjedhjet e vitit 2007 dhe nëse I vlerësojmë realisht emrat e sfiduesve të tij kësaj radhe, atëherë logjikisht duhet pritur që Isa Mustafa të zgjidhet kryetar i Prishtinës që në raundin e parë. Pse themi kështu? PDK-ja nuk ka kandidat serioz ndërkaq fakti se Isa Mustafa e ka mundur edhe njeriun e dytë më të votuar në PDK, Fatmir Limajn, del se vetëm lideri i saj Hashim Thaçi ka mbetur pa u mundur nga Isa Mustafa, sepse të gjithë të tjerët kanë humbur përballë tij e LDK-së! AAK-ja ka kandidat simpatik por ka anëtarësi të paktë në Prishtinë, sepse Prishtina nuk është Dukagjin dhe me dy ose tre asambleistë nuk mund të merret kryeqyteti. AKR-ja dhe LDD-ja kanë një kandidat që njihet si afarist i suksesshëm por që të dyja këto parti kanë “dy minuse” përballë Isa Mustafës. E para, kandidati i këtyre dy partive nuk është ndonjë emër i njohur në opinionin publik e politik dhe e dyta, Isa Mustafa edhe këto dy parti, së bashku më të gjitha partitë e tjera rivale i ka mundur në zgjedhjet e vitit 2007.
Nëse i tejkalon këto tri sfida, atëherë kryetar i ardhshëm i Prishtinës do të jetë përsëri Isa Mustafa.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›