Marina Luftarake,përmirësohet sinjalistika e portit të Durrësit
Marina Luftarake Detare ka përmirësuar ndjeshëm sinjalistikën në portin e Durrësit. Disa fenerë ndriçues janë vendosur në det përgjatë kanalit hyrës të portit detar të Durrësit. Fenerët lundrues të cilët në gjuhën detare quhen bova janë pjesë e sinjalistikës detare dhe shërbejnë për të orientuar anijet si natën ashtu edhe ditën për të hyrë brenda në port. Marina Luftarake e ka detyrë ligjore instalimin dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës detare. Këtë detyrim ajo e përmbush nëpërmjet sektorit të Hidrologjisë Detare. Ekuipazhet e mjeteve lundruese të Marinës Luftarake instaluan përgjatë kanalit hyrës të portit 2 copë fenerë ndriçues ose bova. Në këtë mënyrë kanali dhe baseni i portit është krejtësisht i mbuluar me këtë sinjalistikë. Disa vjet më parë ishin ushtarakët e DIE (Delegacioni Italian i Ekspertëve) të cilët ndërtuan nga e para të gjithë sistemin e sinjalistikës detare. Ky projekt u realizua në kuadrin e bashkëpunimit dy palësh për modernizimin e ushtrisë sonë. Në mbështetje të këtij sistemi sinjalistik ushtarakët italianë ngritën edhe një ofiçinë mirëmbajtjeje brenda në portin e Durrësit, i cili është në shërbim edhe të porteve të tjera të vendit tonë. Tashmë gjithçka mbulohet nga ana e marinës sonë luftarake. Në funksion të orientimit të anijeve janë instaluar 22 fenerë ndriçues, të cilët plotësojnë standardet e vendosura nga Organizata Botërore e Lundrimit.