Rastet e korrupsionit nga zyrtarët, Tatimet ftojnë qytetarët të denoncojnë
Angazhimi i administratës tatimore për zbatimin e ligjit tatimor në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për çdo tatim-pagues ka nxitur dhe nismën më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për instalimin e një linje denoncimi nëpërmjet telefonit ose postës elektronike. Çdo qytetar që konstaton sjellje korruptive nga ana e punonjësit tatimorë, apo raste evazioni fiskal, në mënyrë diskrete (të hapur) pa u nxjerrë identiteti i denoncuesit, mund të telefonojë në numrin jeshil “0800 14 14” ose të shkruajë në adresën “denoncime@tatime.gov.al” çdo ditë nga e hëna në të premte nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të denoncojnë veprimet që cenojnë integritetin e sistemit tatimor dhe parimin e barazisë mes tatimpaguesve.
Shtegu i gazit, TAP fillon përcaktimin e rrugës së gazsjellësit
Kompania zvicerane që menaxhon projektin për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik njoftoi së fundi se ka filluar fazën vlerësuese të rrugës së detajuar ku do të kalojë tubacioni në territorin e Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, TAP thotë se do të analizojë në terren katër alternativa të identifikuara fillimisht nga fotografi satelitore për të përcaktuar rrugën finale si dhe për të vlerësuar vështirësitë që mund të hasen gjatë ndërtimit. Sipas saj, prioriteti kryesor i kësaj faze është që gazsjellësi të shmangë kalimin përmes parkut kombëtar të Hotovës, në Përmet për shkak se është rezervë natyrore e mbrojtur. Rreth 40 specialistë pritet të vizitojnë vendin tonë për këtë qëllim. Gazsjellësi Trans-Adriatik synon të lidhë tubacionin ekzistues Turqi-Greqi me Italinë e Jugut, duke ndërtuar 520 kilometra tubacione në Greqi, Shqipëri, nën det dhe në Itali. Gazsjellësi me kapacitet 10 miliardë metër kub në vit mund të kushtojë 1.5 miliardë euro.
11 Korrik 2009