E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale, bashkia do të ndërtojë 51 apartamente në rrugën “Mine Peza”

Detajet për banesat sociale dhe kushtet që ofrohen për përfituesit. Sipas përllogaritjeve në këto banesa do të strehohen rreth 150 banorë që kanë aplikuar

Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka projektuar ndërtimin e objekteve të banimit për të pastrehët, pranë rrugës “Mine Peza”. Sipas projektit të Bashkisë në objektet e banimit pritet të strehohen rreth 140-150 persona. Specialistët kanë përcaktuar detajet teknike se si do të jenë blloqet e banimit për të gjithë të pastrehët. Ndërkohë që ende nuk është përcaktuar koha e ndërtimit të banesave dhe hyrja e familjeve të para. Të gjithë të interesuarit kanë të drejtë të aplikojnë në bazë të kushteve të përcaktuara nga specialistët dhe të dorëzojnë dokumentet përkatëse. Aplikantët do të përzgjidhen nga Drejtoria e Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës.
Detajet
Specialistët kanë përcaktuar të gjitha detajet lidhur me përbërjen e banesave dhe mundësitë e strehimit të familjarëve. Në këtë zonë, janë planifikuar të ndërtohen rreth 51 apartamente, të cilat do të jetë të ndara sipas mundësive që do të kenë qytetarët për të paguar qiranë. Kështu, përbërja e dhomave do të jenë të tipit garsoniere me hapësirë 20 metra katrorë, apo dhe dhoma të tjera me hapësirë 1 + 1. Ndërkohë që familjet e mëdha do të kenë dhoma më të përshtatshme, të cilat do të jenë 2 + 1. Rreth 12 njësi do të jenë të tipit 3 + 1 që do të kenë një hapësirë me 54.00 metra katror. Të gjitha banesat janë projektuar për familje të vogla ose çiftet e reja, si dhe për familje me më shumë anëtarë. Ndërkohë që, katet e para janë planifikuar të jenë në shërbimin e të gjithë banorëve dhe do të përdoren për biznese, kopshte, çerdhe. Për më tepër, të gjithë ata që do të strehohen në këto apartamente do të kenë mundësi punësimi në shërbimet e ofruara në katet e para të ndërtesave.
Projektet
Bashkia e Tiranës ka tre projekte për ndërtimin dhe strehimin e të pastrehëve, numri i të cilëve është në shifra të larta në kryeqytet. Përveç, projektit në rrugën “Mine Peza, janë dhe dy projekte të tjera në proces, si blloqet e banimit në Ish-Uzinën e Autotraktorëve, projekti i së cilës tashmë ka nisur të zbatohet. Përveç banesave sociale pranë ish- Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, është shtuar edhe projekti tjetër për një bllok banimi në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës. Bashkia ka përcaktuar se aplikimi i familjeve që do të aplikojnë për këto banesa është i njëjtë, si për banesat e para që po ndërtohen në Shkozë. Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të domosdoshmërisë që kanë dhe plotësimit të kritereve për strehim. Mendohet se kategoritë më emergjente do të strehohen në blloqet e banimit që do të përfundojnë të parat.

Banesa Sociale “Mine Peza”

Sipërfaqja territoriale 630 m2
Sipërfaqja e banimit bazë 366 m2
Sipërfaqja në total për banim 2190 m2
Njësi apartamentesh 51
Njësi garsoniere 20.00 m2
Njësi një + një 35.50 m2
Njësi dy + një 40.50 m2
Rreth 12 njësi tre + një 54.00 m2
Numri i banorëve, 140 -150 banorë

Projekti për banesat pranë qendrës së Tiranës, në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”

Projektet e Bashkisë për strehimin zënë një hapësirë të gjerë dhe pjesa më e madhe e tyre do të jenë ndërtime brenda Unazës ekzistuese. I tillë është rasti i ndërtimeve në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, pranë Bllokut të Ambasadave, të cilat janë në një nga zonat më të preferuara të Tiranës. Lartësia e banesave që do të ndërtohen në këtë zonë do të jenë 6-katëshe. Ndërtimet 6- katëshe janë përshtatur me urbanistikën që kanë të gjitha ndërtesat përreth, për të mos krijuar thyerje të ndërtesave të zonës. Nëntoka e kësaj hapësire do të ketë 2 kate parkim, i cili do të administrohet nga Bashkia e Tiranës dhe do t’u shërbejë jo vetëm banorëve të objektit por edhe qytetarëve të zonës përreth. Në këtë hapësirë, do të ketë kopshte, çerdhe, shkolla, dyqane etj. Banesa sociale parashikon të ofrojë strehë për familje me shumë persona apo dhe me pak persona. Për këtë arsye, brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsoniere, 1+1, dhoma 2+1, si edhe 3+1. Standardet për projektimin e këtyre apartamenteve janë aplikuar në bazë të rregulloreve përkatëse. Banesa në fjalë parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme.
Bashkia e Tiranës në kuadër të programit “Për Integrimin e të Pastrehëve”, ka caktuar disa lokalizime në qytet, të cilat janë asete të saj, ku do të ndërtohen banesa sociale. Qëllimi i ndërtimit të banesave sociale është strehimi i personave dhe familjeve të pastreha, si dhe integrimi i tyre në shoqëri. Për këtë arsye, objekte të këtij programi janë disa hapësira të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit e sidomos brenda Unazës ekzistuese, të pleksura në zona banimi të një cilësie mbi mesataren. Përveç kërkesave për strehim, këto hapësira do të përmbushin pjesërisht edhe kërkesat për parkim, pasi sipërfaqja e nëntokës së tyre do të përdoret si parkim publik .

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›