E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen të ardhurat nga sigurimet me 2 miliardë lekë



Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore arritën në 11.2 miliardë lekë. Sipas ministrit Bode, kontributi i sigurimeve shoqërore, që përbën një nga zërat kryesorë në buxhetin e shtetit, ka një rritje në krahasim me vitin e kaluar. "Janë 2 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe se nga vitet 2006 e 2005, kur niveli i taksimit ka qenë 30 për qind më i lartë se niveli që kemi aktualisht", - tha Bode. Ai u shpreh më tej se, edhe pse rritja e programuar në këtë lloj takse ka qenë rreth 22 për qind, realizimi i 24.5 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, jep garanci që buxheti i sigurimeve shoqërore do të ketë një taksë që nuk do ta çojë në nevoja suplementare për të devijuar të ardhurat nga taksat e tjera e për të plotësuar boshllëqet që mund të lindin nga informaliteti në tregun e punës.

Kasat fiskale, këtë muaj nis instalimi te bizneset

Vënia e kasave fiskale për bizneset private do të fillojë brenda muajit prill 2008. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, “përsa u takon kasave, ne jemi në momentet e përfundimit të vlerësimit të të gjithë konkurrentëve në këtë proces”. Ai shtoi se janë ofruar një numër kompanish, të cilat janë pikëzuar nga komisioni sipas kritereve të deklaruara dhe brenda muajit prill do të procedojmë me autorizimin e fillimit të veprimtarisë të disa prej subjekteve në tregun shqiptar, duke ruajtur një farë gradualiteti deri në zbatimin e plotë të tyre. "Kompanitë e ofruara vlerësohen të jenë kompani me eksperiencë pozitive në vendet e tjera dhe mendoj që problemi i zbatimit të kasave sipas një programi gradual dhe të sigurt do të mund të startojë brenda muajit prill dhe pastaj për t’u shtrirë në mënyrë graduale", - tha Bode.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›