E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rastet kur mund ta rishqyrtoni masën e pensionit



Laureta Rryçi

Zbardhen procedurat që duhet të ndiqen hap pas hapi për të gjithë përfituesit e njërit prej pensioneve, të cilët kërkojnë të rishqyrtojnë masën e përfitimit. Sipas rregullores së Institutit të Sigurimeve Shoqërore “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve”, rishqyrtimi i pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar, sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhet në bazë të kërkesës me shkrim nga personi i interesuar ose i autorizuar prej tij me prokurë të posaçme. Objekt i rishqyrtimit të pensioneve janë ato përfitime që rrjedhin nga ligje apo vendime të veçanta si për kompensime, shtesa për personat në ngarkim e të tjera. Rishqyrtimet e pensioneve bëhen edhe mbi bazën e akteve të auditimit ose kur është konstatuar llogaritje gabim e pensionit, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore. Kështu, kur pas marrjes së vendimit për caktimin e pensionit, pensionisti paraqet kërkesë me shkrim, së bashku me dokumente të tjera që i japin të drejtë për rritjen e masës së pensionit, merret vendim për ndryshimin e pensionit. Gjithashtu, vendimi për ndryshimin e pensionit merret edhe pa kërkesën e të interesuarit për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm, si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kërkesa
Personi që do të fillojë procedurën e kërkesës për rishqyrtim të pensionit të pleqërisë, invaliditetit apo familjar, fillimisht duhet të paraqitet tek inspektori pritës i Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH), i cili bën sqarimet ligjore për procedurën që do të ndiqet për rishqyrtimin e pensionit. Inspektori pritës pret dokumentet për rishqyrtim, të paraqitura nga vetë i interesuari ose i autorizuari me prokurë të posaçme, i kontrollon ato dhe nëse i gjen të rregullta, i regjistron te libri i pritjes në rubrikën “Rishqyrtim pensioni”. Kërkesa për rishqyrtim pensioni hartohet në dy kopje, nga të cilat, një i jepet personit që paraqet kërkesën ose të autorizuarit të tij, dhe një kopje mbahet prej inspektorit pritës. Kërkesa, e cila shërben edhe si fletë inventari, firmoset dhe vuloset me vulën personale të inspektorit pritës. Inspektori pritës çdo ditë ia kalon dokumentet përgjegjësit të ALSSH-së, i cili, pasi kontrollon procedurat ligjore e i gjen ato në përputhje me ligjin, i regjistron në regjistrin e kërkesave për “Rishqyrtim pensioni”. Më pas, përgjegjësi i ALSSH-së, sipas grafikut të përcaktuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore (DRSSH), me protokoll/postë, një herë në javë, i dorëzon dokumentet në DRSSH, të shoqëruara me shkresë përcjellëse. Për ALSSH-të e qyteteve ku kanë selitë DRSSH-të, dorëzimi bëhet çdo ditë me postë. Në DRSSH, dokumentet, së bashku me kërkesat për pension protokollohen dhe i kalohen drejtorit
të DRSSH-së, i cili i adreson te kryetari i Degës së Përfitimeve. Ky i fundit, pasi bën regjistrimet përkatëse në një regjistër tip dhe pasi ka marrë nga arkiva dosjet, ia kalon për përpunim të mëtejshëm inspektorëve përpunues, duke vendosur datën në rubrikën përkatëse të fletës shoqëruese të dosjes së pensionit (emër, mbiemër) dhe duke nënshkruar reciprokisht.
Rishqyrtimi
Inspektori përpunues fillon procedurën e rishqyrtimit të dokumenteve të marra në dorëzim, dosjen përkatëse të pensionit dhe kartelën financiare nga Dega e Financës. Kur dokumentet janë të rregullta e nuk duhen verifikuar, inspektori përpunues plotëson vendimin për rishqyrtim të pensionit, urdhër-pagesën sipas të gjitha rregullave, kartelën financiare dhe pasi i nënshkruan dhe inventarizon, ia dorëzon kryetarit të Degës së Përfitimeve. Të gjitha këto veprime pasqyrohen në fletën shoqëruese të dosjes së pensionit, në rubrikat përkatëse, duke shënuar emër, mbiemër, datë dhe duke nënshkruar. Kryetari i Degës së Përfitimeve, pasi kontrollon procedurat, nënshkruan në vendimin e caktimit të pensionit, në urdhër pagesë. Dosja i dorëzohet kryetarit të Degës së Financës kundrejt nënshkrimit dhe duke vendosur datën e dorëzimit në fletën shoqëruese të dosjes së pensionit. Kryetari i Degës së Financës dhe, në mungesë të tij, personi i ngarkuar me të drejtë firme, pasi bën kontrollin sipas rregullave, nënshkruan vendimin e rishqyrtimit të pensionit, kontrollon të dhënat në kartelën financiare nëse janë të sakta dhe të njëjta me urdhër pagesën dhe i nënshkruan ato. Dosja i dorëzohet kryetarit të Degës së Informatikës kundrejt nënshkrimit dhe duke vendosur datën e dorëzimit në fletën shoqëruese të dosjes së pensionit. Dega e Informatikës, mbështetur në vendimin e rishqyrtimit të pensionit, në fletën e kartelizimit dhe në urdhër pagesë, regjistron të dhënat në programin e kartelizimit dhe në programin “Exel” të postave paguese. Operatori që kryen veprimet e mësipërme shënon emrin e tij në fletën e kartelizimit dhe e nënshkruan atë. Drejtori i DRSSH-së, pasi kontrollon procedurat, nënshkruan vendimin e rishqyrtimit të pensionit, urdhër-pagesën dhe ia kalon atë Degës së Financës për veprime të mëtejshme. Urdhër-pagesa, e vulosur dhe e shoqëruar me shkresë përcjellëse të sigluar nga kryetari i Degës së Financës dhe të nënshkruar nga drejtori i DRSSH-së me protokoll të veçantë ose me postë, i dërgohet filialit/degës së Postës Shqiptare sh.a., e cila në bazë të akt marrëveshjes ia kalon qendrave paguese brenda 24 orëve. Urdhër pagesat shoqërohen me informacionin e nxjerrë nga programi i kartelizimit dhe nënshkruhen nga drejtori i DRSSH-së. Një kopje e shkresës përcjellëse të urdhër-pagesave, drejtuar Postës, i dërgohet edhe ALSSH-ve përkatëse, të cilat bëjnë regjistrimet në regjistrin e kërkesave për pension dhe e afishon atë në një vend të dukshëm. Dega e Financës, pas kryerjes së veprimeve të mësipërme, dosjen e pensionit ia kalon inspektorit të regjistrit themeltar të pensioneve, i cili bën regjistrimet përkatëse dhe ky i fundit ia dorëzon arkivit të pensioneve.

Rregullat dhe procedurat për marrjen e vendimit për caktimin e pensionit

Vendimi për caktimin e pensionit është akt juridik administrativ që merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) në mbështetje të Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Në vendim caktohet lloji i pensionit, masa e tij dhe afati i pagesës. Njëkohësisht me vendimin plotësohet edhe formati i shkurtimit të vendimit, sipas llojit të pensionit. Ky format firmoset nga kryetari i Degës së Përfitimeve, kryetari i Degës së Financës, drejtori i DRSSH-së dhe vuloset me vulën e DRSSH-së. Vendimi për caktimin e pensionit plotësohet sipas kërkesave që ka formati përkatës. Vendimi merr numrin e regjistrit të kërkesave për pension të DRSSH-së, ndërsa si datë shënohet data e plotësimit të vendimit. Për pensionet për nënat me shumë fëmijë dhe për pensionet familjare, në pjesën e posaçme të vendimit shënohen fëmijët e lindur dhe të rritur deri në moshën 8 vjeç ose anëtarët e familjes që përfitojnë pension familjar. Në vendim caktohet dhe afati i pagesës së pensionit si vijon: Për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën për punë që përcakton ligji, caktohet i përhershëm; për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim dhe për kompensime të tjera që marrin edhe pensionet e pleqërisë, afati do të vendoset sipas rastit; pensioni i invaliditetit, deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP-it; për pension familjar për jetimët, afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç e vazhdojnë shkollën, deri në një muaj pas datës së fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më shumë se data e mbushjes të moshës 25 vjeç; për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35 të Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendoset data e plotësimit të moshës 18 vjeç të fëmijës më të rritur. Kur anëtarët e familjes që marrin pension familjar, kërkojnë që të ndahet e të paguhet i veçantë për secilin, nuk merret vendim tjetër, por në vendimin ekzistues bëhen shënimet për ndarjen e pensioneve. Në këto raste, nuk hapet një dosje tjetër, por vetëm plotësohet kartela, urdhër-pagesa e libreza e pensionit e veçantë për aq pjesë sa është ndarë pensioni. Këto mbajnë të njëjtin numër të pensionit me fraksione “a”, “b” etj. Kur njëri nga anëtarët e familjes që merr pension banon në një rreth tjetër dhe kërkon që pensioni t’i paguhet në atë rreth, DRSSH-ja që ka caktuar pensionin bën ndarjen e tij, plotëson kopjen e vendimit për caktimin e pensioneve të firmosur e vulosur sipas rregullave dhe ia dërgon DRSSH-së ku banon i interesuari. Vendimi për caktimin e pensionit nënshkruhet nga inspektori përpunues, kryetari i Degës së Pensioneve, kryetari i Degës së Financës, drejtori i DRSSH-së dhe vuloset me vulën e DRSSH-së. Në vendim nuk lejohet të bëhen korrigjime. Kur i interesuari nuk është dakord me vendimin e DRSSH-së për caktimin ose moscaktimin e pensionit, ai ka të drejtën e ankimimit sipas Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›