E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 10 gusht ALUIZNI do të pranojë kërkesat për privatizimin e trojeve turistike



Eljona Ballhysa
Më datë 10 gusht, Agjencia e Legalizimit të Zonave Informale pranon kërkesat e të interesuarve që kërkojnë të privatizojnë truallin e ndërtimeve të tyre në zonat turistike. Të gjithë personat e interesuar për të hipotekuar ndërtimet e tyre në zonat turistike duhet të plotësojnë kërkesën në bazë të formularit të mëposhtëm dhe ta dorëzojnë atë pranë Drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t. “ALUIZNI njofton personat e interesuar se prej datës 10 gusht 2010 do të nisë procedura e plotësimit të kërkesës për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, në përputhje me Ligjin Nr. 10186, datë 5.11.2009. Kërkesat paraqiten pranë Drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, - është shprehur koordinatorja ligjore pranë ALUIZNI-t, Jeta Velaj. Ajo ka bërë të ditur kategoritë e personave që do të përfitojnë nga privatizimi i truallit. “Kanë të drejtë të paraqesin kërkesë subjektet e interesuara, personat fizikë apo juridikë që gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë, ose të rrjedhur, me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar të ngritur brenda zonës së stimuluar. Personat e stimuluar, personat fizikë apo juridikë që kanë lidhur marrëveshje qiraje me qiradhënësin apo autoritetin shtetëror”, - ka theksuar Velaj. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë rreth 23.5 hektarë toka në bregdet, në të cilat janë ngritur fshatra turistike nga kompani private të licencuara nga qeveritë shqiptare të asaj kohe. Ligji sanksiononte se vilat e ndërtuara në këto fshatra nuk mund të shiteshin, por do të përdoreshin vetëm për qëllime turistike. Por kjo pikë e ligjit është shkelur pasi shumë nga vilat janë shitur. Sakaq, opozita thotë se blerësit e tyre janë kryesisht ministrat dhe funksionarët e lartë të shtetit. ALUIZNI, përmes këtij drafti, u jep të drejtën atyre që i kanë blerë vilat që të privatizojnë edhe truallin mbi të cilin ato janë ndërtuar, me një çmim të fiksuar.
Vendimi
“Çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës. Shlyerja e çmimit të truallit nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, në të cilin është përcaktuar vlera e çmimit që do të paguhet. Pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit të njësisë së ndërtuar nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar bëhet brenda 6 muajve nga data e marrjes së njoftimit”, - është parashikuar në vendimin e qeverisë. Sipas këtij vendimi, çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar paguhet në dy mënyra: në mënyrë të vetme dhe në mënyrë periodike. Vendimi parashikon se kur çmimi paguhet në mënyrë të vetme, qytetari përfiton ulje të çmimit. Kështu, në nenin 14 të ligjit “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikohet një reduktim në masën 10% të vlerës së truallit në ato raste kur i gjithë detyrimi financiar paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim. Po kështu parashikohet një reduktim i çmimit në masën 20% të vlerës së truallit në ato raste kur detyrimi financiar paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim.
Në vendim parashikohet se qytetari duhet të dorëzojë dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e pagesës pranë ALUIZNI-t që e administron atë në dosjen përkatëse të subjektit. Kur vërtetohet se qytetari ka paguar të gjithë vlerën e çmimit të truallit apo pjesën takuese të tij, vijohet me lidhjen e kontratës së kalimit të së drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastet kur subjekti i interesuar, pra qytetari, ka paguar një pjesë të çmimit të truallit, por nuk e kanë shlyer tërësisht pagesën brenda afatit të parashikuar prej 6 muajsh, atij i humbet e drejta për të lidhur kontratën e kalimit të pronësisë dhe i kthehet shuma e paguar. Për njësitë e ndërtuara që gëzohen nga dy ose më shumë subjekte të interesuara për privatizimin e truallit, në rastet kur njëri prej tyre ka paguar pjesën takuese të çmimit të truallit brenda afatit të përcaktuar, ky i fundit ka të drejtë të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë, pavarësisht nëse bashkëpronari tjetër nuk ka paguar pjesën e tij takuese të çmimit të truallit.
Ligji
Ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikon që truallin ka të drejtë ta blejë ose pronari i objektit të ndërtuar në tokën shtetërore që është i interesuar për të privatizuar këtë truall, ose personi i stimuluar, i cili është ai person që ka marrë me qira tokën shtetërore dhe ka ndërtuar objekte në të. Në rastin kur trualli i shitet personit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej subjektit, 20% të kësaj vlere nga personi i stimuluar. Personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin, brenda një afati 60-ditor, dokumentacionin që do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Gjatë këtij procesi, ALUIZNI ka si detyrim bashkërendimin e punës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikimin e të dhënave për pronat shtetërore në zonat turistike të dhëna me qira. Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit bëhet në bazë të kërkesës së paraqitur nga subjekti i interesuar, që mund të jetë pronari i objektit ose personi i stimuluar, pra ai që ka marrë me qira truallin shtetëror. Ndërkaq, çmimi i truallit do të jetë në proporcion me sipërfaqen në funksion të njësisë së ndërtimit. Trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi të personit që gëzon objektin e ndërtuar brenda një zone të stimuluar, që është zona turistike e ndërtuar në truall shtetëror. Kontrata e shitjes ndërmjet ALUIZNI-t dhe subjektit të interesuar lidhet vetëm pas pagimit të plotë të çmimit të shitjes. Vetëm pas nënshkrimit të kontratës, subjekti i interesuar ka të drejtë që ta regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Projekti parashikon se më parë do të realizohet çregjistrimi i objekteve private të ndërtuara në truallin shtetëror, pasi regjistrimi i tyre është i paligjshëm. Në projekt parashikohet se procesi i regjistrimit fillestar të këtyre objekteve në ZRPP do të kryhet nga ALUIZNI. Ndërsa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë ndërmjet subjekteve të interesuara, projektligji parashikon se ALUIZNI ka të drejtë të lidhë kontratën e shitjes me subjektin e interesuar që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale të pronësisë.

Dokumentacioni që paraqitet nga subjekti i interesuar

Kontrata e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar.
Planimetria dhe sipërfaqja e njësisë së ndërtuar.
Dokument pronësie për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë).
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
Dokumentacioni që paraqitet nga personi i stimuluar

Marrëveshja e qirasë apo zhvillimit.
Leja e ndërtimit për njësinë e ndërtuar.
Planimetria dhe sipërfaqja në m² për njësinë e ndërtuar.
Dokumente pronësie për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë).
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

Kërkesa tip 1
KËRKESË

PËR KALIMIN E TË DREJTËS SË PRONËSISË MBI TRUALLIN E NJËSISË SË NDËRTUAR

SUBJEKTI I INTERESUAR 1)____________________________________________________

Emër Mbiemër

2) ____________________________________________________

Emër Mbiemër

EMËRTIMI I ZONËS SË STIMULUAR DHE VENDNDODHJA E NJËSISË SË NDËRTUAR ______________

__________________________________________________________________________

TË DHËNAT E NJËSISË SË NDËRTUAR

Sipërfaqja e bazës së njësisë së ndërtuar_________________________m²

Sipërfaqja e përgjithshme e njësisë së ndërtuar____________________m²

Numri i kateve ___ dhe funksioni i njësisë së ndërtuar_______________

Sipërfaqja e truallit për të cilën kërkohet kalimi i pronësisë___________ m²

Bashkëlidhur kërkesës gjendet:

1-Kontrata e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar

2-Planimetria e njësisë së ndërtuar

3-Dokument pronësie për njësinë e ndërtuar

4-Dokument identifikimi ose ekstrakt i regjistrit tregtar

Data ___/ ___ / ________.

_______________________

Emër Mbiemër Firmë

Adresa e kërkuesit______________________________ Numër kontakti_______________________

Kërkesa tip 2
KËRKESË

PËR KALIMIN E TË DREJTËS SË PRONËSISË MBI TRUALLIN E NJËSISË SË NDËRTUAR

PERSONI I STIMULUAR 1)____________________________________________________

Emër Mbiemër

2) ____________________________________________________

Emër Mbiemër

MARRËVESHJA E QIRASË/ZHVILLIMIT NR ____________________ DATË ___ / ____ / _______

NR ____________________ DATË ___ / ____ / _______

TË DHËNAT E NJËSISË SË NDËRTUAR

Emërtimi i zonës së stimuluar dhe vendndodhja___________________________________

Sipërfaqja e bazës së njësisë së ndërtuar_________________m²

Sipërfaqja e përgjithshme e njësisë së ndërtuar____________m²

Numri i kateve ___ dhe funksioni i njësisë së ndërtuar__________

Sipërfaqja e truallit për të cilën kërkohet kalimi i pronësisë______ m²

Bashkëlidhur kërkesës gjendet:

1-Marrëveshja e qirasë dhe/ose zhvillimit

2-Leja e ndërtimit të njësisë së ndërtuar

3-Planimetria e njësisë së ndërtuar

4-Dokument pronësie për njësinë e ndërtuar

5-Dokument identifikimi ose ekstrakt i regjistrit tregtar

Data ___/ ___ / ________.

_______________________

Emër Mbiemër Firmë

Adresa e kërkuesit__________________________________ Numër kontakti___________________________

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›