E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit, Bode: Treg informal

Aktiviteti i lojërave të fatit konsiderohet nga Ministria e Financave si një sektor tepër informal, nisur dhe nga niveli i të ardhurave që sigurohet nga ky biznes. Në dokumentin e parashikimit të të ardhurave për vitin 2009, ministria e drejtuar nga Ridvan Bode sqaron se niveli i të ardhurave nga aktivitetet e lojërave të fatit është tepër i vogël. Pjesa e të ardhurave që vijnë nga subjektet e lojërave të fatit, zë një vend të papërfillshëm në totalin e të ardhurave nga tatim-fitimi, vetëm 0.3 për qind për vitin 2008. Lidhur me këtë grup të ardhurash, burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave pohojnë se, priten zhvillime që nga viti 2009, duke qenë se po hartohet një ligj i ri për lojërat e fatit, i cili synon rritjen e formalitetit në këtë sektor. Edhe pse taksat mbi kazinotë dhe lodrat kanë pësuar një rritje prej rreth 400 milionë lekë të ardhura, krahasuar me një vit më parë, burime nga tatimet shprehen se sektori në fjalë konsiderohet tepër problematik në lidhje me deklarimet. Edhe pse siguron miliona dollarë të ardhura, subjektet e lojërave të fatit kanë derdhur në arkën e shtetit vetëm 18 milionë dollarë. Të dhënat e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se të ardhurat kanë pësuar një rritje me 30 për qind. Me synim rregullimin e tregut, pra liberalizimin e tij, por nga ana tjetër edhe forcimin e masa kontrolluese, Ministria e Financave ka përgatitur një ligj, i cili ka mbërritur këto ditë në Kuvend. Miratimi i ligjit, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2009, parashikon rritjen e masës së ndëshkimeve, duke nisur me gjoba që shkojnë deri në 600 mijë dollarë dhe deri te heqja e licencës.

Ligji

Projektligji i ministrisë nuk ka nisur ende të diskutohet nga komisionet e posaçme parlamentare, edhe pse ka mbërritur që prej dy javësh. Miratimi dhe zbatimi sa më i shpejtë i ligjit do të jepte mundësi për një kontroll më të rreptë të tregut të lojërave të fatit. "Shqip", pak kohë më parë, publikoi disa pjesë të ndryshuara të ligjit, që lidheshin me informacionin dhe mënyrën e lojës, moshës së lejuar për lojtarin dhe punonjësin, si dhe të tjera detaje tepër të rëndësishme. Duke u nisur nga aksioni i dy ditëve të fundit nga forcat e rendit, i cili solli bllokimin e disa pikave të lojërave të fatit, gazeta publikon një pjesë të projektligjit, ku përcaktohen rastet e ndëshkimit të subjekteve kur shkelet ligji.

Ndëshkimet

Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit - NJMLF, në varësi të Ministrisë së Financave, vendos që në të parën gjobë 1 milion lekë, kur subjekti nuk ka zbatuar nene të caktuara të ligjit. P.sh., subjekti mund ta marrë këtë gjobë nëse ka ndryshuar adresën pa njoftuar NJMLF-në, përfshi edhe kur ka ndryshuar stafin. Gjobë me 1 milion lekë vendoset edhe nëse brenda sallës të lojës së fatit gjenden persona (lojtarë dhe punonjës) nën 18 vjeç, ose kur nuk janë të afishuar llojet e lojës dhe mënyra se si luhet. Mund të ndëshkohesh edhe nëse kryen reklamë për aktivitetin e lojës së fatit, kur nuk lejon inspektorët e NJMLF-së të ushtrojnë kontrollin, ose kur subjekti ndodhet pranë shkallove dhe institucioneve fetare etj. Në rastet kur këto shkelje përsëriten, NJMLF-ja ka të drejtë t‘iu propozojë tatimeve heqjen e licencës. Gjobat janë edhe më të rënda kur subjektet e lojërave të fatit nuk kanë njoftuar NJMLF-në për aktivitetin që po kryejnë. Për të bërë ankesën, subjekti ka kohë 30 ditë nga çasti i njoftimit të marrjes së gjobës, ndërsa Komisioni i Apelimit të Gjobave brenda 30 ditëve nga çasti i apelimit duhet të japë vendimin për masën administrative.

Llojet e basteve

7 janë kategoritë e lojërave të fatit: baste sportive, baste për gara në pistë, kazino, kazino elektronike, lotari kombëtare, bingo tradicionale dhe bingo televizive

Gjobat për subjektet që

nuk regjistrojnë aktivitetin

për bingo, e bingo televizive 30 milionë lekë

për lotarinë kombëtare 50 milionë lekë

për bastet sportive 30 milionë lekë

për kazinotë elektronike 1 milion lekë (për çdo makinë)

për kazinotë 50 milionë lekë

për bastet e garave sportive 50 milionë lekë

për personin fizik 5 milionë lekë

Operacioni kombëtar "Kumari" sekuestron 350 makina kompjuterike

Evazion fiskal, bllokohen 210 lojëra fati

Në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, janë bllokuar 210 pika të ushtrimit të lojës së fatit. Aksioni i quajtur "Gambling" (Kumari), është ushtruar në datat 13 dhe 14 nëntor 2008, nga ana e Drejtorisë Kundër Krimit Ekonomiko- Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të cilat varen direkt nga Ministria e Financave. Operacioni kishte si qëllim ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimin dhe procedimin penalisht të personave që kryejnë këtë aktivitet si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit. Gjatë kryerjes së operacionit u kontrolluan 210 subjekte, të cilat zhvillonin aktivitetin e lojërave të fatit. Sipas Policisë së Shtetit, 60 prej këtyre subjekteve rezultuan të pa licencuara nga organet përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti. Mësohet gjithashtu se këto subjekte janë proceduar penalisht në organin e prokurorisë për kryerjen e kundërvajtjes penale të organizimit të lotarive të palejuara dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara në bazë të neneve 197 dhe 198 të Kodit Penal. Gjithashtu, subjekteve të pa licencuara iu bllokuan ambientet ku ato ushtronin aktivitetin e paligjshëm, si dhe iu sekuestruan në total 350 makineri kompjuterike për zhvillimin e lojërave të fatit. Burime të sigurta pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se operacioni do të vazhdojë dhe në ditët në vijim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›