E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa bomba atomike janë humbur gjatë Luftës së Ftohtë?

Qe pak herët për të notuar në Mesdhe atë vit. Por në fillim të marsit të vitit 1966, Manuel Fraga Iribarne, ministri i Informacionit të Spanjës në atë kohë, dhe Bidëll Djuk, ambasadori amerikan në Madrid, bashkë me familjet e tyre, u krodhën në ujërat drithërues të Kosta Kalidës.

Gazetarë nga e gjithë bota qenë mbledhur në plazhin fare pranë fshatit të vogël Palomares, për të dëshmuar në mediat përkatëse për banjën pranverore të dy familjeve. Interesi që tregonin gjithë këta gazetarë do të qe i pajustifikueshëm nëse vetëm pak kilometra më tej, në dyshemenë e oqeanit, të mos gjendej një bombë me hidrogjen, me fuqi shpërthyese 1 mijë herë më të madhe nga ajo që bëri njësh me tokën Hiroshimën.

Vetëm pak javë më parë, më 17 janar të vitit 1966, në bregdetin juglindor të Spanjës, qe zhvilluar incidenti më i rëndë i armëve nukleare të së gjithë Luftës së Ftohtë. Gjatë një manovre forcash ajrore, një bombardues amerikan i tipit B-52 dhe një avion i tipit KC-135 qenë përplasur në ajër, në lartësinë 9 mijë metra. Të dyja mjetet ajrore kishin shpërthyer në një lëmsh të zjarrtë mbi fshatin Palomares. Bombarduesi B-52 transportonte katër bomba me oksigjen. Njëra prej tyre u ul e padëmtuar në fushat e mbjella me domate pranë fshatit. Dy të tjerat shpërthyen (jo bërthama nukleare) duke hedhur përreth fragmente metalike, ndërkohë që në të dyja zonat e shpërthimit u vërejtën re plutoniumi, të cilat më pas precipituan në terren. Bomba e katërt ra në ujë, disa kilometra larg nga bregu, për t‘u varrosur disa metra nën dyshemenë e butë të detit. Por ku ra me saktësi?

Javët pas aksidentit, Palomaresi dukej si shesh-xhirimi i një filmi mbi apokalipsin. Në terren, burra të veshur me kostume të bardhë, mbrojtës nga rrezatimet, e me maska blu në fytyrë përdornin aparatet "Geiger" për matjen e niveleve të rrezatimit në truallin pranë fshatit. Fushat e mbjella u rrethuan dhe askush nuk lejohej më, qoftë edhe të kalonte përmes tyre. Prodhimet e domateve e të fasuleve u lanë pa u vjelë e shpejt u bënë pre e bimëve parazitare. Qeveria amerikane urdhëroi gërryerjen e sipërfaqes dhe u hoqën që aty më shumë se 1400 tonë dhe. Gjithë kjo sasi dheu e kontaminuar u dërgua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duzina anije luftarake amerikane patrullonin pa ndalesë për të penguar çdo mjet lundrimi në zonën ku një peshkatar kishte parë të binte bomba me hidrogjen. U deshën 81 ditë për të nxjerrë armën nukleare nga thellësia 800 metra. Për të shprehur tronditjen që kishte shkaktuar aksidenti i Spanjës, e përditshmja gjermane "Hamburger Abendblatt" shkruante: "Incidenti i bombës tregon me qartësi se ç‘do të thotë sot, ‘të jetosh me bombën atomike‘".

Bomba e zhdukur e Groenlandës

Ideja se ekziston një bombë e humbur atomike, me shumë gjasa edhe e dëmtuar, diku në dyshemenë e oqeanit, është e llahtarshme. Aktualisht, rrjeti britanik BBC ka trazuar sërish ujërat me një raport mbi një bombë të humbur amerikane në vitin 1968. Kur një bombardues amerikan i tipit B-52 u përplas mbi shtresat e akujve të Groenlandës, eksplozivi konvencional që përmban arma shpërtheu, duke shkaktuar infektimin e një zone të konsiderueshme për shkak të plutoniumit që u çlirua gjatë procesit.

Por ajo që prej dekadash mbahet sekret nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është fakti se studimet në zonë kanë treguar se një kokë nukleare mungon fare në inventar. Ka shumë të ngjarë të ketë përshkruar gjithë shtresën e akullit të sipërfaqes së Gjirit të Yllit të Veriut, vendi ku ndodhi incidenti. Koka nukleare nuk u gjet kurrë më.

Ndërkaq, humbja e bombave atomike nuk është një eveniment aq i pamundur e i rrallë sa mund të besohet gjerësisht. "Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar humbjen e 11 bombave atomike", thotë Otfrid Nasauer, ekspert armësh nukleare, njëherësh drejtor i Qendrës Berlineze të Informacionit për Sigurinë Transatlantike. "Mendohet se numri i bombave atomike të humbura gjatë Luftës së Ftohtë mund të jetë pesëdhjetë".

Pjesa më e madhe e këtyre armëve tmerrësisht të rrezikshme flenë në thellësitë e ujërave të oqeaneve. Zjarri që shpërtheu në vitin 1989, në bordin e nëndetëses "Komsomolez", e mbyti nëndetësen ruse në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik, në një thellësi prej rreth 1700 metrash, bashkë me dy torpedot e saj me mbushje nukleare. Më 22 maj të vitit 1968, një tjetër nëndetëse nukleare "USS Scorpion", u mbyt në thellësinë 3300 metra, rreth 3300 metra në jug të ishujve Azores. Në trupin e saj gjendeshin dy koka me mbushje nukleare. Për shkak të thellësisë shumë të madhe, as armët dhe as reaktorët nuklearë të këtyre dy nëndetëseve nuk janë hequr prej andej.

Absurditeti "Shigjeta e Thyer"

Por, një numër shumë më i madh mbushjesh nukleare, janë zhdukur gjatë aksidenteve ajrore në ujërat e hapura të oqeaneve. "Gjatë fazave më të hershme të Luftës së Ftohtë, mjetet ajrore nuk qenë ende në gjendje të mbulonin gjithë Atlantikun me një serbator të vetëm", shpjegon eksperti i armëve nukleare Nasauer. "Disa bombardues u përplasën me avionët që i furnizonin me karburant në ajër, ndërsa disa të tjerë thjesht nuk arritën të gjenin kontaktin me avionët furnizues dhe pasi mbetën pa karburant, kridheshin në ujërat e oqeaneve".

Gjatë fundit të viteve pesëdhjetë deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë, faza më e ethshme e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin në ajër gjatë gjithë kohës avionë me armë atomike, për të 365 ditët e vitit. Katër udhët e tyre kryesore kalonin nga Groenlanda, Spanja e Mesdheu, Japonia dhe Alaska. Vetëm kur bombarduesit arritën atë fazë zhvillimi që të kalonin përmes Atlantikut me një serbator të vetëm, pa pasur nevojë për furnizim në ajër, incidentet e këtij lloji u pakësuan ndjeshëm.

Me shumë gjasa, më absurdi ndër aksidentet e tipit "broken arrow" (Shigjeta e Thyer, kodi i përdorur nga amerikanët për aksidentet ku përfshiheshin armë atomike) ndodhi më 5 dhjetor të vitit 1965, në bordin e aeroplanmbajtëses amerikane "USS Ticonderoga". Mjeti qe rrugës nga Vietnami për në Jokosuka të Japonisë, kur një bombardues-sulmues që po ngrihej përmes një prej ashensorëve gjigantë (përmes të cilëve mjetet fluturuese nxirren nga pjesa e hambarit në pistën e fluturimeve) ra papritmas në ujërat e oqeanit. Piloti, avioni dhe bomba nukleare që mbante në bord përfunduan në thellësinë prej 5 kilometrash për të mos u gjetur kurrë më.

Edhe ky incident u mbajt sekret për shumë vite, pjesërisht pasi kur u bë publik në vitin 1981, vërtetoi mbi të gjitha se amerikanët kishin pozicionuar armë nukleare në Vietnam. U zbulua gjithashtu se amerikanët kishin shkelur një pakt me Japoninë, sipas të cilit qenë zotuar të mos transportonin asnjë armë nukleare në territorin japonez.

Gafat trashanike

Aksidentet prej trajtimit të këtyre lodrave të rrezikshme pa rëndësinë e duhur nga ana e amerikanëve, nuk kanë ndodhur vetëm nëpër vendet e tjera. Në fakt, 7 prej 11 kokave nukleare që mungojnë zyrtarisht në inventar, janë humbur pikërisht në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 5 shkurt të vitit 1968, piloti i bombardierit Huard Riçardson, u detyrua të lëshonte bombën me hidrogjen që transportonte në çastin kur avioni i tij u përplas me një avion sulmues.

Bomba pas incidentit u zhduk në ujërat e cekëta të Uasau Saund, rreth 20 kilometra larg në Savana e Xhorxhias, një qytet me rreth 100 mijë banorë. Rriçardsoni, pilot me përvojë të gjatë fluturimesh, mezi arriti ta ulte avionin e dëmtuar në një aeroport ushtarak të një baze aty pranë.

Ekuipazhi i një bombarduesi B-52, i cili shpërtheu më 24 janar të vitit 1961, qe shumë më pak fatlum. Përpara se trupi i avionit të ndahej më dysh, pjesëtarët e ekuipazhit ia dolën të lëshonin jashtë ngarkesën e rrezikshme. Një prej dy bombave me hidrogjen u parashutua pa rrezik mbi një pemë, ndërsa tjetra ra në një moçal pranë qytetit Goldsboro të Karolinës së Veriut, ku mendohet se u zhyt 50 metra nën lymin e butë, ku fle edhe sot e kësaj dite. Zona ku ra bomba mbetet ende zonë e kufizuar ushtarake.

Por ajo që e bëri të famshëm këtë incident qe bomba që mbeti mbi pemë. Pesë prej gjashtë siguresave të saj, të cilat shmangin detonimin nuklear, nuk funksionuan dhe vetëm e fundit arriti të shmangte katastrofën. Pas këtij incidenti në kufijtë e gjëmës, u rishikua nga fillimi i gjithë sistemi i sigurimit të armëve nukleare, ndërkohë që Uashingtoni i kërkoi Bashkimit Sovjetik të bënte të njëjtën gjë.

Kanë shanse terroristët të shtinë në dorë një bombë?

Deri në ditët tona, këto dy incidente përbëjnë një çështje debati të nxehtë mes ekspertëve, zyrtarëve të lartë të ushtrive, mbështetësve të teorive të konspiracioneve dhe qytetarëve të shqetësuar të Savanës e Goldsboros. A përbëjnë dy bombat ende rrezik për banorët e këtyre dy qyteteve? "Armët nukleare që flenë në shtretërit e oqeaneve zor të shpërthejnë", thotë Nasauer. E megjithatë, nuk do të bëjë ndonjë deklaratë të nxituar: "Ndoshta më shumë rrezik përbëjnë bombat që janë humbur në tokë. Por praktikisht, askush nuk di të thotë me siguri nëse këto bomba janë në gjendje të shpërthejnë spontanisht".

Por një frikë krejt e ndryshme ka zënë rrënjë që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Çfarë do të ndodhte nëse terroristët do arrinin të shtinin në dorë një prej gjithë këtyre bombave të humbura? Një frikë pa bazë, thotë Nasauer, duke vërejtur se edhe vetë ushtritë, me aq shumë mjete moderne në dispozicion, nuk kanë arritur t‘i gjejnë apo t‘i rikuperojnë bombat. "Shumë prej këtyre armëve gjenden në zona ku nuk mund të arrihet me mjetet që zotëron njerëzimi sot për sot", shpjegon eksperti. Rreziku i vërtetë shtrihet në zonat ku kanë ndodhur incidentet dhe këtu përfshihet mundësia e shpërthimit, por edhe efektet e korrozionit, të cilat mund ta lejojnë radioaktivitetin të gjejë rrugën drejt sipërfaqes me kalimin e dekadave.

Në Palomares, për shembull, makthi vazhdon të jetë ende i pranishëm edhe pse kanë kaluar katër dekada. Që në atë epokë, fshati i fjetur është kthyer në zonë të kërkuar turistike. Por në vitin 2004, në një zonë ku mendohej të ndërtohej një kompleks golfi, u zbuluan dy copa terreni, dheu i të cilave kishte përmbajtje të lartë radioaktive. Studime të mëtejshme zbuluan se edhe zona të tjera qenë të kontaminuara.

Qeveria spanjolle ka konfiskuar terrenet radioaktive dhe nga viti 2009 trupat amerikane do të angazhohen edhe një herë për të dekontaminuar gjithë zonën. Më shumë se 40 vjet pas rënies së bombës atomike në Palomares, ngarkesa prej tonelatash dheu të kontaminuar do të nisin përsëri udhëtimin drejt brigjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›