E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti Klecka, fillon sot gjykimi për Fatmir Limaj

PRISHTINË- Gjykimi i deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka", fillon sot.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të vitit 2011. Zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të 2011-ës, nëpërmjet të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.

Organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës kanë paralajmëruar sot protestë kundër ndalimit dhe gjykimit të nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›