Duka sinjal Hanit: Me Hungarinë dua fitore
JETMIR HALILAJ
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka komentuar situatën më të fundit në futbollin shqiptar, pas incidenteve të dhunës në dy stadiume, për masat ekstreme të FSHF-së. Ai ka lënë të kuptohet edhe një herë se ndaj Hungarisë duhet vetëm fitorja, pasi në rast të kundërt, Hani nuk e ka të sigurt vendin në krye të stolit kuqezi. Kreu i institucionit të futbollit nuk ka ngurruar të "shigjetojë" edhe ish-ministrin e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, të shkarkuar dy ditë më parë pas një skandali seksual, teksa ka thënë: "Nuk dua ta komentoj atë ngjarje. Nuk më pëlqen të flas për të 'vdekurit'. Ai është pjesë e së kaluarës".
Për dhunën
Duka e ka cilësuar si të patolerueshme dhunën ndaj gjyqtarëve në fushat e Tërbunit dhe të Delvinës. "Janë ngjarje të patolerueshme. Futbolli nuk mund të shndërrohet në një arenë dhune, sepse është një sport që duhet t'i kënaqë njerëzit dhe duhet të edukojë brezat e rinj. Padyshim, që më vjen keq kur ndodhin gjëra të tilla, pasi jo vetëm që nuk shërbejnë për asgjë, por nuk e ndihmojnë aspak futbollin që të bëjë progres. Duhet të jeni të bindur se asnjë federatë nuk dëshiron t'iu bëjë keq anëtarëve të saj, por në rrethana të tilla, nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër. Disiplina ishte e dënuar të merrte një vendim të tillë të ashpër, pasi gjithçka ndodhi i kapërceu kufijtë dhe pasojat ishin vërtetë të rënda. Askush nuk ka dëshirë që të privojë një komunitet si Puka, apo Saranda nga futbolli, që është sporti më i dashur në Shqipëri, por ne kurrsesi nuk mund të pajtohemi me dhunën", ka thënë Duka. Pati shumë zhurmë edhe për kalendarin e fazës së tretë, i cili u kontestua fuqishëm nga Vllaznia. "Rregullorja ishte shumë e qartë dhe ata që e kanë lexuar me kujdes, nuk kanë pse të ngatërrohen. Vonesa e publikimit të versionit zyrtar nga FSHF-ja? Të gjithë i kanë rregulloret dhe mund t'i bëjnë vetë llogaritë", është shprehur Duka.
Për Kombëtaren
"Ari Han ka bërë një punë të mirë, por jo të shkëlqyer, ashtu sikurse pretendohet se kam thënë në media pak ditë më parë", ka thënë kreu i institucionit të futbollit. Ai ka vlerësuar pozitivisht punën e bërë nga trajneri holandez në skuadrën shqiptare, por ka pohuar se mund të ishte bërë akoma më shumë. "Ari Han ka bërë një punë përgjithësisht pozitive dhe të mirë - është shprehur ai. - Mosha mesatare e skuadrës përfaqësuese është ulur ndjeshëm dhe gjithashtu, skuadra ka një harmoni të mirë. Megjithatë, duhet që ndeshjen e radhës kundër Hungarisë ta përgatitim siç duhet. Paraqitja dhe rezultati ndaj Maltës nuk kënaqi askënd, por me Hungarinë, kemi mundësi të bëjmë diçka të mirë. Shpresoj që lojtarët të kenë reflektuar pas asaj ndeshjeje dhe të bëjnë maksimumin. Duhet të shfrytëzojmë edhe faktorin fushë, që për ne është shumë i rëndësishëm. Ne nuk kemi shumë kualitete në skuadër, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm".
Për Ari Hanin
I pyetur nëse një humbje ndaj Maltës do të pasonte me shkarkimin e trajnerit të Kombëtares, Duka ka lënë të kuptohet se pret vetëm fitore në këtë ndeshje, në rast të kundërt, asgjë nuk është e sigurt, përfshirë edhe e ardhmja e holandezit. "Unë mendoj vetëm për fitoren. Nëse humbim? Edhe njëherë po ua përsëris se unë mendoj vetëm për fitoren. Nuk mund të them asgjë më shumë se kaq", ka thënë Duka, duke lënë të kuptohet, se vetëm tri pikët më 28 mars mund të zbusin situatën në pankinën kuqezi.
Batuta për Pangon "S’merrem me "të vdekurit"
Kreu i FSHF-së Armand Duka është përpjekur të tregohet i kujdesshëm kur është pyetur në lidhje me shkarkimin e ish-ministrit të MTKRS-së, Ylli Pangon. Megjithatë, Duka nuk ka ngurruar të lëshojë ndonjë shigjetë në adresë të ish-rivalit të tij, gjatë konfliktit shtet-federatë. "Shkarkimi i Ylli Pangos? Nuk dua të jap komente për të. Padyshim që bashkë kemi pasur disa përballje, qoftë edhe në distancë, por unë mund të flas vetëm për atë kohë, jo për tani. Tani është njësoj sikur të flasësh për 'të vdekurin' dhe unë nuk kam qejf të flas për të 'vdekurit'. Ministri i Kulturës Risnisë dhe Sportve përket së kaluarës tashmë", tha Duka.
Gabimi i Han, në shkurt me Maltën, një gafë
Maltezët u krenuan pas barazimit 0-0 me Shqipërinë më 11 shkurt, se ia kishin hedhur stafit kuqezi me përcaktimin e ndeshjes në muajin shkurt. Ata ndiheshin të favorizuar, sepse lojtarët maltezë ishin në pikun e formës së tyre, ndërsa një pjesë e mirë e kuqezinjve vinin pas pushimesh të gjata dimërore. Drejtuesit e Federatës Malteze pohuan se kjo ishte e organizuar mirë. "Ndoshta është vërtetë kështu dhe maltezët kanë të drejtë ta thonë këtë, por në tryezën e bisedimeve ishte vetë trajneri i Kombëtares, Ari Hani, i cili kur u bë propozimi, e miratoi datën 11 shkurt për ndeshjen me Maltën. Sigurisht, që një pjesë e lojtarëve tanë nuk ishin në formë të mirë", deklaroi Duka.
Koincidenca
Shkarkimi i Pangos, ka prekur edhe FSHF-në, por më shumë nga të gjithë, pasojat e kësaj ngjarjeje i ka "vuajtur" sekretarja e federatës, Edlira Kajtazi, e cila ka një numër telefoni të ngjashëm me ish-ministrin, me të cilin i ndryshon vetëm shifra "0" me "6". Disa mesazhe ngushëlluese gabimisht kanë mbërritur në telefonin e saj. "Mos u merakosni, unë e di që vetë kruhen me ju, se ju kanë qejf. Artenisa, Gjirokastër", shkruhej në një prej mesazheve.