E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i Milan Kunderes dhe gracka e dosjeve te se shkuares

Për të gjithë ata që nxituan ta shihnin si një alkimi të liqsh atë fabulën tronditëse, sipas së cilës, nja gjashtëdhjetë më parë, bash në të ritë e vet, Milan Kundera është bërë shkak i arrestimit e i burgosjes së një antikomunisti çekosllovak, fillimisht i arratisur e më pas i rikthyer si agjent i amerikanëve për të spiunuar e për të sabotuar regjimin stalinist të Pragës, për të gjithë këta pra, erdhi pak ditë më parë ripohimi i të njëjtit lajm nga gojë të tjera. Me pak fjalë, edhe burime të tjera thonë se ka qenë pikërisht Milan Kundera denoncuesi i ish-pilotit, Mirosllav Dvoraçek, i cili menjëherë pas kësaj e pa veten të prangosur e të dënuar me burgim të gjatë e me punë të detyrueshme. Atë mot Kundera ka qenë 21 vjeç, një djalë dogmatik, krejt i thëthitur prej ideologjisë komuniste. Kjo duket edhe tek ca vargje, të cilat ai i ka shkruar veç dy vjet më vonë me një pathos krejt të papërpunuar e me një stil belbacukësh. Janë vargje banale e shëmtaraqe të llojit (më ndjeni për përthimin e shpenguar, por janë vargje që s‘meritojnë asnjë lloj tendosjeje e kokëçarjeje intelektive):

...

Miqësia jonë lind në qiell si një ylber

Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia do të jenë tok përherë

Aleanca jonë spikat si një shkëmb i lartë që ngre kokën mbi valët e detit

Tek i cili kokën do të thyejnë imperialistët e dreqit.

...

Ǒdo të thotë kjo? Mos vallë do të thotë që Milan Kundera ka qenë aq shumë fanatik, sa s‘e ka patur për gjë të bashkëpunojë me policinë e një regjimi shtypës e vrasës në dëm të kundërshtarëve të këtij regjimi? Hm, këtë e di vetëm Kundera, i cili ka bërë reagimin më lakonik që mund të jetë bërë ndonjëherë në historinë e njerëzimit përballë një akuze të këtyre përmasave. "Jam i tronditur. Ata po vrasin një shkrimtar. Ata gënjejnë", tha ai. Kaq. Dhe është fshehur sërish në atë qoshen e vet, jo vetëm larg syve të çekëve, por edhe larg syve të botës. Dikush mund të thotë se ky lloj reagimi vjen prej faktit, që ai është fajtor, por ka të tjerë, që thonë se ai po bën atë që ka bërë gjithë kohën, dmth lojën e arratisjes prej botës.

E vërteta është që çekët nuk e duan. Nuk e kanë dashur edhe përpara se të plaste kjo bombë. Si zor të ketë në historinë e letërsisë një marrëdhënie më të vështirë e më problematike të një shkrimtari me popullin e vet, se sa marrëdhënia e Milan Kunderës me çekët. Është aq e vërtetë kjo, sa "Lehtësia e Papërballueshme e Qënies", libri që e bëri Kunderën të famshëm në të gjithë planetin, është përkthyer në gjuhën çeke njëzet e pesë vjet pas publikimit në gjuhën franceze; dhe janë shitur veç dhjetë mijë kopje. Nuk është çudi që në Çeki të jetë më i lexuar Fatos Kongoli apo Ylljet Aliçka. Popull i çuditshëm, apo jo? Edhe shkrimtar i çuditshëm, sigurisht.

Në këtë kuptim, a mos vallë kjo njollosje e Kunderës përbën një moment të lumtur për çekët, të cilët kanë kështu mundësinë për t‘u hakmarrë kundër këtij mendjemadhi bukëshkalë? Nuk duket se është kështu. Përkundrazi, kjo ngjarje e zbuluar gjysmë shekulli më vonë (nëse është e vërtetë; e me ç‘duket, është një gjë që po besohet gjithnjë e më shumë), sjell edhe njëherë përpara çekëve dhe përpara të gjithë atyre popujve që kanë të njëjtën histori me ta në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, pyetjet: Çfarë ka qenë në të vërtetë Leviathan-i komunist? Ǒqëndrim duhet të mbajmë ndaj regjimit totalitar stalinist? Ja, pyetje të tilla e zhvendosin diskutimin edhe në Shqipëri, ku bash këto ditë po flitet prapë, e prapë, e prapë, për hapjen e dosjeve.

***

Përpara disa javësh pata rastin të bisedoja gjerë e gjatë me Ismail Kadarenë. Një nga temat e bisedës ishte Atdheu, diktatura, e qëndrimi ndaj tyre. Kadare këmbëngulte në idenë, se ai - po e perifrazoj në mënyrën time, duke shpresuar të mos jem keqkuptuar - ka jetuar në tehun e një thike të mprehtë në ato kohë dhe se "ka lozur hidh e prit" me diktaturën; me fjalë të tjera, sa herë që është gjendur në momente të vështira, nuk është menduar dy herë për të bërë ndonjë vjershë të ngjashme me vjershën e mësipërme të Kunderës (duhet thënë se në moshën 21 vjeçare, Kadare ka qenë më shumë i talentuar e më pak komunist se sa Kundera), dhe sa herë që ndihej në të ngrohtë prej famës jashtë apo prej konjukturave brenda, rrjedhimisht sa herë që ndjente se regjimi nuk kish interes të krruhej me të, ulej të shkruante një vepër guximtare, ku bëheshin aluzione anti-regjim; pas kësaj vinte natyrshëm një moment tjetër i vështirë, rrjedhimisht ndonjë novelë apo ndonjë roman gudulisës për regjimin, në pritje të kohëve sërish të ngrohta për të guxuar sërish, e kështu me radhë. Në këtë lojë si macja me miun me diktaturën Ismail Kadare edhe mund të ishte bërë një denoncues (në rrethanat, kur regjimi do t‘ia kërkonte këtë gjë në këmbim të burgut apo të kokës). Kadare nuk është bërë, por janë të panumurt të tjerët, që nga besimi tek regjimi/frika prej regjimit, s‘e kanë patur për gjë të shndërrohen në vegla të mjera të asaj diktature që ata e kanë dashur/e kanë urryer.

Milan Kundera e bëri të pabërën (po bjemë dakord që akuza në adresë të tij lidhur me atë denoncim të bërë nja 60 vite më parë nuk është pa baza), dhe më vonë gjeti arsye e forcë për t‘i dhënë munxët regjimit stalinist e për ta denoncuar atë faqe botës ("nga denoncimi në denoncim", mund të ish një titull i jetës së Milan Kunderës). Në ndryshim nga Kundera i çekëve, Kadareja i shqiptarëve nuk e ka dashur regjimin totalitar (kjo dëshmohet nga shumë zëra e nga shumë drejtime). Por e ka patur frikë, amá. E ka patur aq frikë, sa herë pas here s‘e ka patur për gjë të bënte kompromise me regjimin e të bëhej njësh me të në kurriz të besimeve të veta e të artit të vet. Nuk ka bërë denoncime banale si ky që i përmendet Kunderës, por nuk ka bërë as denoncime të hapura e të mëdha si ky që i njihet po Kunderës. Të dy megjithatë janë shkrimtarë të mëdhenj. I madh është dhe Gunter Grass-i, që ka pranuar së fundmi vokacionin e tij nazist në kohët e rinisë, është dhe Solzhenitsyn-i, që ka pranuar se falë zemërgjerësisë së rastit nuk është bërë spiun i regjimit sovjetik, është dhe Sacharov-i që, përpara se të shkruante samizdat-et e veta e përpara se të përfundonte i syrgjynosur, kishte një miqësi të shpifur e të dyshimtë me Lavrentij Berija-n, koburen vrasëse në duart e Stalinit.

Ǒdel nga kjo? Hm, dalin shumë gjëra, por njëra sosh është më e qartë e më evidente se të tjerat: sjellja e njerëzve në regjimet totalitare nuk mund të gjykohet me ngenë e me non-chalance-ën spitullaqe post-totalitare të njerëzve që nuk e kanë jetuar atë apo të njerëzve që krejt rastësisht kanë dalë gjallë e të pandotur prej saj. Po, në atë kohë ka patur viktima e heronj, ashtu siç ka patur edhe vrasës gjakftohtë në emër të një ligji antihuman apo në shpërfillje të çdo ligji, por përtej këtyre ishte një botë e madhe skuthësh e clackers-ash, të cilët, po t‘ua donte puna, mund të shndërroheshin pa asnjë brerje ndërgjegjeje në bashkëpunëtorë të regjimit e të cilët, po t‘ia donte puna regjimit, mund të përfundonin në mënyrën më pak heroike në viktima të mjera.

Dhe punët kanë qenë aq të ngatërruara, sa i njëjti njeri mund të ketë qenë gjatë diktaturës edhe viktimë, edhe hero, edhe vrasës, edhe skuth, edhe clacker. Kjo ka qenë diktatura, masha e së cilës kemi qenë që të gjithë ne, kush prej besimit tek ajo, kush prej frikës prej saj. Këtu - e theksoj - duhen veçuar njerëzit me dell kriminal (arkitektët e frymëzuesit e diktaturës) dhe njerëzit me dell idealist (kundërshtarët apo refuzuesit e hapur të diktaturës). E nuk është ndonjë punë e vështirë për t‘u bërë, pasi kanë qenë shumë të paktë. Vrasësit e heronjtë janë të paktë gjithmonë; janë aq të paktë, sa nuk teprohet po të thuhet se përbëjnë një devijim nga cliché-ja humane, apo soji i homo sapiens-ave. Cliché-ja jemi ne të tjerët, ne që nuk jemi të gatshëm për të bërë as ndonjë sakrificë, as ndonjë krim në emër të bindjeve e idealeve, ne që normalisht nuk mund të vrasim të tjerët për bindje e për ideale, por që mund t‘i lëndojmë, mund t‘i bëjmë të vuajnë e mund t‘i vrasim në emër të mbijetesës sonë apo të mbijetesës së tanëve. E kemi bërë atëherë. E bëjmë edhe tani.

Shikoni çfarë po ndodh në Rusinë post-sovjetike! Të gjithë janë vënë në rresht e janë bërë sus nga një bandë gangsterësh. Askush nuk bëzan kundër regjimit të Putinit. Ky regjim i paudhë afërmendsh nuk është aq i egër sa regjimi i Stalinit apo sa regjimi stalinist, e megjithatë, kurrë ndonjëherë në historinë e vet kombi rus nuk ka qenë në një ditë kaq të zezë, sa të mos ia dalë dot për të prodhuar qoftë dhe një zë serioz e imponues anti-regjim. Është e trishtueshme kur mendon që gjithë mendimi e vepra intelektuale e kulturore ruse me funksione të disidencës përfaqësohet nga Anna Politkovskaya, një grua trime, por një gazetare mediokre. Gjithë të tjerët janë një cliché e mërzitshme humane.

Përfytyroni tani që pikërisht nga kjo cliché e mërzitshme humane, shumë më e mërzitshme se sa cliché-ja humane në epokën e regjimit sovjetik, të ngrihet kërkesa për të dënuar krimet e komunizimit, ish-spiunët, ish-bashkëpunëtorët, e tok me këta, ndoshta edhe sojin e Milan Kunderës, sojin e atij që gjashtëdhjetë vjet më parë, i kapur në morsën e një esktaze ideologjike e të një rrëmbimi rinor, bëri një denoncim, sojin e atij që gjashtëdhjetë më pas ka arritur të shndërrohet në një autoritet moral për gjithë Evropën. Do të ishte krejt e padrejtë. Ashtu siç është e padrejtë që ca dhjaksa e skutha shqiptarë të ditëve të sotme, të cilët nuk kanë lënë shërbim e spiunllëk pa bërë në të mirë të një mafia-je gjëmëzezë në pushtet, të ngrihen e të kërkojnë ndëshkimin e ish-spiunëve të djeshëm. Ja, më thoni ju, cili është më i fajshëm, një ish-spiun i djeshëm që të gjitha shërbimet e ndyra i ka bërë nga besimi tek regjimi e nga frika prej regjimit, apo një lapangjoz e ditëve tona që të gjitha shërbimet e ndyra i bën në emër të një logjike të shpëlarë "carpe diem"-iste, apo në emër të parasë, famës, karrierës, e kështu me radhë? Sipas meje, një njeri që bën prapësira nga besimi apo nga frika është një mijë herë më i kuptueshëm e më i falshëm se sa një njeri që bën të njëjtat prapësira për pakëz "carpe diem".

"Dakord" - mund të thonë - "por ne do t‘i hapim dosjet, pasi duhet të mbajmë gjallë kujtesën; nuk duhet të harrojmë në mënyrë që të mos na përsëriten gjërat". Gjepura! Nuk janë dosjet ato që do të na ndihmojnë të mos harrojmë; kujtesën do të duhet të na i mbajnë gjallë kultura, librat, historia e mësuar nëpër shkolla, e jo hapja e dosjeve. Kjo e fundit nuk na sjell në kujtesë historinë; përkundrazi, na mban të mbërthyer pas optikës voyeur-iste të historisë, e cila (optika voyeur-iste) çdo tragjedi na e sjell përpara syve si një karikaturë apo si një komedi. Kjo është një nga arsyet, që ne e përsërisim historinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›