E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia dhe moratoriumi si argument bajat i opozitës

"Shqipëria po ndryshon", slogani që përdor çdo ditë Kryeministri Berisha, në fakt është një refren, që është përdorur edhe nga të tjerë kryeministra. Nano, p.sh., në një prej konstatimeve të tij se Shqipëria po ndryshonte, tregoi se si qyteteve e fshatrave, kudo që të kalosh udhëve të Atdheut, shikon se po ndërtohen shtëpi të reja me çati të kuqe. Si kushdo e kudo, Shqipërisë, edhe disa të njohur të mi, kanë ndërtuar nga këto shtëpitë e reja me çati të kuqe. Dhe ja se si: Ata shkuan në Greqi, punuan dhe, me paratë që fituan, hapën themelet e shtëpive. Pastaj shkuan sërish të punojnë dhe ndërtuan kolonat. Pastaj vajtën sërish e sërish, derisa u vunë edhe tjegullat e kuqe mbi çati. Disave u kanë mbetur ende pa i vënë dritaret, kështu që sërish do t‘u duhet të shkojnë të punojnë në Greqi. Por, edhe ata që i kanë vënë edhe dritaret, edhe dyert, madje edhe i kanë mobiluar shumë mirë, sërish duhet të shkojnë në Greqi, sepse edhe në ato shtëpi të reja njerëzit duhet të ushqehen që të jetojnë dhe, e vetmja mundësi për t‘i siguruar paratë është emigracioni.

Na u kujtuan çatitë e kuqe, që dëshmojnë ndryshimin e Shqipërisë dhe përmirësimin e mënyrës së jetesës së shqiptarëve, ndërsa shikojmë në televizor shtëpinë e Ndriçim Myftarit, nga Lushnja, një djaloshi të dobët e të tharë nga mjerimi dhe dielli. Sot, ai është bërë protagonisti i edicioneve të lajmeve dhe gazetave, pasi prej tri ditësh shteti është ngritur në këmbë, duke rrëmuar baltën e Kanalit të Butrintit, pasi mendohet që të jetë mbytur aty. Ndriçimi do të shkonte në Greqi për të ndihmuar familjen që të ndërtonte dhe ai një shtëpi të re. E vjetra ishte me tjegulla të thyera, me çati të rrënuar dhe mure gati në të rënë. Në fshat, disa të tjerë kishin mundur t‘i ndërtonin shtëpitë e reja, ndaj dhe Ndriçimi, tani që u bë 17 vjeç, moshë e cila në fshat do të thotë krah i fuqishëm pune, vendosi të shkojë në emigracion për të ndërtuar dhe ai një shtëpi të re. Nëna e një bashkëmoshatari të Ndriçimit u tregoi reporterëve se edhe djali i saj po shkonte në Greqi të punonte, pasi u duheshin para për të vazhduar ndërtimin e shtëpisë.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, përveç telegrameve të ngushëllimit nga disa zyrtarë të lartë, opozita nxitoi të gjejë përgjegjësit konkretë. Një politikane e lartë e saj tha se kjo ngjarje u zhvillua në detin, ku një moratorium i qeverisë i ndalon skafet. Në fakt, ai është një liqen, ose më saktë një kanal, ndërsa ai skafi nuk ishte veçse një varkë, që mban vetëm një peshkatar dhe arkën me mjetet e tij të punës. Në këtë rast moratoriumi nuk hyn fare, pasi po të zbatohej edhe në Liqenin e Butrintit, duhej të ishin mbyllur edhe impiantet e rritjes së midhjes në këtë liqen. Opozita akuzoi policinë që nuk i ndalon këto mjete vrasëse, kur në fakt, ai mjet është vetëm një varkë pune për peshkatarët. Ata fatkeq po e kalonin kanalin me varkë, pasi policia nuk i lejoi të kalonin në urën e lëvizshme, ku kalojnë të gjithë, sepse ata identifikohen lehtë si kandidatë për klandestinë, pasi kanë duar të ashpra dhe fytyrë të djegur nga dielli.

Përtej retorikës politike, nuk do të pajtoheshim hiç me logjikën se viktimat e radhës ishin pasojë e moszbatimit të moratoriumit, sikurse jemi të bindur se ai moratorium është vetëm një retush politik në sytë e Evropës dhe një ligj absurd, këmbë e kokë. Opozita e kritikoi mbarë e prapë këtë ligj kur u miratua, dhe mirë bëri, ndërsa tani ngre furtunë për zbatimin e tij. Shkaktari i vdekjes së njerëzve në Karaburun, Otranto dhe Butrint dhe i zhdukjes së Ndriçimit është pikërisht shtëpia e tij që po rrëzohet, janë mijëra shtëpi të tjera që presin të ndërtohen dhe qindra mijëra njerëz brenda tyre që presin të ushqehen. Nuk ka moratorium t‘i ndalojë këta njerëz të nisen drejt Greqisë apo Italisë, kur u duhet të gjejnë bukë për fëmijët e tyre.

Moratoriumi i skafeve është një budallallëk me brirë, pas të cilit opozita kapet si i mbyturi pas një fijeje bari. Shkaku i vdekjeve dhe tragjedive, që pasojnë njëra-tjetrën, nuk është varka dhe varkëtari i midhjeve, por mjerimi dhe varfëria. Për aq kohë sa jetesa e pjesës më të madhe të popullsisë do të varet nga emigracioni, do të ketë njerëz që marrin arratinë nga deti, mali, liqeni, lumi dhe ajri. Do të ketë njerëz që paguajnë ryshfet për të blerë një vizë, për të kaluar ilegalisht në porte e aeroporte, do të ketë "aventurierë" fatkeq, që do të udhëtojnë nëpër botë me kamionë frigoriferikë, trena mallrash e gjithfarësoj mjeti tjetër për të kaluar nga njëri shtet në tjetrin, derisa të gjejnë një punë.

Nuk mund të ketë moratorium më të fortë në botë se ai që kishte vendosur Enver Hoxha dhe, sërish njerëzit e varfër e të pashpresë arratiseshin me komardare e mjete të tjera primitive, nga Saranda në Korfuz, nga Pogradeci në Ohër e nga Shkodra në Mal të Zi. Nga Ksamili në Han të Hotit, kufiri tokësor rrethohej me tela me gjemba, por sërish shqiptarët e çanin klonin, duke hapur edhe tunele nën tokë.

Nëse qeveria apo çdokush tjetër, zyrtar në qeveri a në opozitë, kërkon vërtet ta ngushëllojë familjen e 17-vjeçarit, që ende nuk është gjetur, të shkojë te shtëpia e tij me çati gjysmë të rrënuar. Nëse opozita do ta fajësojë qeverinë, të shkojë te shtëpia e tij dhe mikrofonat e konferencave të shtypit t‘i varë te parmakët e kalbur të shtëpisë së Ndriçimit. Ndërsa Kryeministri Berisha, kur bërtet lart e poshtë se Shqipëria po ndryshon, të mos marrë me vete banderolën e një rruge të shtruar për ta përdorur si sfond, por të shkojë te shtëpia e Ndriçimit dhe të mijëra shtëpive të tjera të ndërtuara nga mundi i emigrantëve. Asnjë politikan dhe asnjë Kryeministër nuk duhet të drejtojë gishtin nga shtëpitë e reja, e të thotë se Shqipëria po ndryshon, pasi asnjë qeveri nuk ka asnjëfarë kontributi për këtë ndryshim. Ai është ndryshimi i ardhur nga gjaku dhe jetët e humbura në dete, liqene, kanale, lumenj e male.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›