E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti i Nazmie Vishës, media ka përdhunuar jetën private dhe ka prishur hetimet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reguar sot ndaj rastit te sjelljes publike ndaj vrasjes se kryer nga Nazmie Visha kunder tutorit te saj, duke kritikuar medien qe ka publikuar sms intime dhe prokurorine qe ka lejuar te degradoj situata. KShH-së i bën përshtypje fakti se, megjithëse hetimi sapo ka filluar, në shtyp jepen të dhëna të hollësishme madje edhe të dhëna sensitive siç janë përmbajtja e sms-ve në celular dhe fotografi.

“KShH mendon se celularët, ashtu si dhe dokumenta apo ojekte të tjera materiale që kanë lidhje me çështjen, disponohen nga organet e ndjekjes penale dhe sipas rastit ato janë objekt hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor.

Vlen të përmendet se, sipas nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore në përgjithësi janë sekrete dhe vetëm prokurori mund të lejojë me vendim të arsyetuar publikimin e tyre. Pavarsisht nga kjo, e drejta e shtypit për të marrë informacion dhe për ti dhënë publikut informacionin e nevojshëm është i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Pa atë nuk do të kishte kuptim ekzistenca e lirisë së shtypit, e sanksionuar në Kushtetutën tonë dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë vështrim, gazetarit ose gazetarëve, nuk mund ti kërkohet burimi i informacionit. KShH mendon se, synimi i dhënies informacionit të publikut nga media është pozitiv megjithatë, në çështje të ndjeshme si rasti i Nazmie Vishës duhej vepruar me kujdes”, thuhet në deklaratë.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet shtypit, është vënë gjithashtu në dijeni se e akuzuara dyshohet se është përdhunuar kur ajo ka qenë rreth moshës 14 vjeç. Ka të dhëna se ka bërë kallëzim në polici për rrëmbimin e saj nga viktima para disa kohësh. Më vonë, thuhet se ajo ka hequr dorë nga ky kallëzim. Nëse është kështu, KShH mendon se kjo, impononte së pari, një ekspertim mjeko-ligjor dhe së dyti, verifikimin nëse kjo tërheqje ishte vërtetë e vullnetshme apo jo. U takon organeve të ndjekjes penale, nëse do ta shohin të arsyeshme ta sqarojnë edhe këtë çështje si dhe të zbulojnë shkaqet e vërteta që çuan në kryerjen e kësaj vepre“, vijon më tej deklarata.

“KShH ka ndjekur gjithashtu me vëmendje atë që është thënë në media, konkretisht deklaratën e fundit të familjarëve të viktimës se do të hakmerreshin ndaj familjes Visha për vrasjen e Fiqiri Muçës. KShH do të sugjeronte se, deklarata të tilla, të njohura dhe të bëra publike, të vlerësoheshin si tepër shqetësuese edhe për faktin, se këto bëhen në një kohë kur niveli i krimeve për motive gjakmarrjeje, kohët e fundit ka shënuar një farë rritjeje. Për KShH-në, deklarata të tilla përbëjnë sfidë ndaj shtetit dhe organeve të drejtësisë por që edhe mbarë shoqëria nuk mund të jetë indiferente. Parandalimi është një çështje serioze dhe mjaft e rëndësishme që kërkon një front unik“, mbyllet deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›