E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raundi i dyte PS-PD prane marreveshjes

Ndryshe nga një ditë më parë, mbledhja e së mërkurës e tryezës së partive, ndonëse me dyer të mbyllura dhe me kohëzgjatje më të shkurtër,  ka qenë më frytdhënëse. Socialistët të përfaqësuar këtë herë vetëm nga Damian Gjiknuri, një nga hartuesit e kodit zgjedhor, u paraqitën në mbledhje me një draft të ri, në të cilin hiqnin dorë nga ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve.

"Përvec pjesës që i takon transparencës post zgjedhore dhe që nuk ka efekte të menjëhershme në procese të filluara, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me kodin. Të gjitha të tjerat kanë të bëjnë me elementë që kanë të bëjnë me vendimarrjen në KQZ, listat e zgjedhësve, procese të tjera që mund të zgjidhen me vullnet të mirë nga KQZ dhe angazhimin që do të marr qeveria",tha Gjiknuri.

Nga maxhoranca kjo është parë si një tërheqje e opozitës, e cila ka pranuar të 16 propozimet e demokratëve. Por nga ana tjetër ka sjellë kërkesa racionale.

"PS mesa duket i ka pranuar të gjitha propozimet që bëmë ne në marrëveshjen e djeshme, për shkak se nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga teksti që ne kishim propozuar. Këto kërkesa që ata kanë nuk janë të tilla që janë të pazbatueshme ose që mund të cënojnë procesin. Një kusht i padiskutueshëm nga ana jonë, është që cdo lloj elementi që do të përbënte ndryshim në kuadrin ligjor të zgjedhjeve të përfshihet në kodin zgjedhor vetëm pas një vlerësimi paraprak nga OSBE ODIHR dhe Komisioni i Venecias", tha Oerd Bylykbashi, ekspert zgjedhor.

"U la që ditën e premte në orën 11:00 të mblidhemi për ta nënshkruar draftin", u shpreh Luan Rama, LSI. Deri të premten ekpertët e dy partive do të synojnë të arrijnë një draft të përbashkët i cili përmbledh propozimet e dy partive kryesore dhe do të nënshkruhet nga të gjithë të tjerat.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 30 mars 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›