E Shtunë, 31 Tetor 2026

Re artificiale në Botërorin 2022

Katari fitoi të drejtën e nikoqirit për Kampionatin botëror 2022, duke premtuar se të gjithë stadiumet do të jenë me ajër të kondicionuar. Tani, ata kanë zbuluar një tjetër element të mikpritjes së tyre, një ‘re’ artificiale, që do të krijojë hije në stadiume, fushat stërvitore dhe zonat e tifozëve, për të luftuar temperaturat e larta verore. Nga Express më 26 mars 2011 në ora 12:25

Shkencëtarët në Universitetin e Katarit kanë dizajnuar re artificiale për të krijuar hije për stadiumet dhe fushat stërvitore si dhe zonat e tifozëve në Kampionatin botëror 2022.

Temperaturat e larta të verës kanë shkaktuar brenga rreth kushteve për futbollistët dhe tifozët gjatë garës. Temperaturat në qershor dhe korrik mund të arrijnë në 50 shkallë Celsius.

Katari fitoi të drejtën e nikoqirit në dhjetor, ndërsa presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, fillimisht kishte propozuar që gara e vitit 2022 të kalojë në dimër. Por, prej asaj kohe, Blatter ka theksuar se gara do të zhvillohet sipas planit në muajt e verës.

Katari planifikon përdorimin e kondicionerëve të ajrit në stadiume, ndërsa tani shkencëtarët kanë dizajnuar ‘re’ që mund të prodhohen për një çmim prej rreth 500 mijë dollarë secila. Saud Abdul Ghani, kreu i Departamentit të Mekanikës dhe Inxhinierisë Industriale në Universitetin e Katarit, ka thënë se kanë zbuluar një re që mund të zgjidhë problemin e shtetit sa i përket nxehtësisë gjatë Botërorit 2022.

Grupi i tij në bashkëpunim me "Katar Science dhe Technology Park" janë duke punuar rreth ‘resë’ që do të jetë e mbushur me helium dhe e ndërtuar nga materiali i karbonit të lehtë. Po ashtu, do të përdoren katër motorë me energji solare për të manovruar mbi stadium, për të bërë hije ku ka nevojë.

Ky model, sipas Ghanit, mund të përdoret edhe nëpër plazhe, parkingje dhe të gjitha zonat tjera ku ka tifozë. Presidenti i Katarit në Konfederatën e Futbollit të Azisë, Mohammed bin Hammam, i cili do të jetë kundërkandidat i Blatterit për presidencën e FIFA-s në qershor, ka thënë se shteti është “i pajisur mirë për të sfiduar të nxehtit e verës”.

Por, unioni i futbollistëve botërorë, FIFPro, përkrahu zhvillimin e garës gjatë dimrit, duke thënë se Katari “nuk i ka kushtet e nevojshme klimatike për një festival të futbollit si Kampionati botëror”. Katari mposhti Australinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara për të fituar të drejtën e nikoqirit të garës me votat e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s më 2 dhjetor në Zurich.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›