E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Persie sulmon rivalët

Ylli i Arsenalit, Robin van Persie beson në filozofinë e skuadrës së tij, ndërsa akuzon rivalët Chelsea e Manchester City për mungesë të ideve të qarta dhe thotë se kanë “gojën e madhe”. Pavarësisht dështimeve të deritashme, ai beson se ekipi do të fitojë tituj. Nga Express më 26 mars 2011 në ora 12:22

Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie ka ‘hapur zjarr’ ndaj Chelseas dhe Manchester Cityt, duke akuzuar shpenzuesit e mëdhenj të Premierligës se kanë “gojën e madhe”.

Van Persie ndër të tjera konfirmoi të ardhmen e tij në Arsenal, duke përkrahur filozofinë e klubit dhe njëkohësisht mohoi mundësinë e transferimit të tij te ndonjëri prej superfuqive tjera të futbollit anglez duke kritikuar kulturën e tyre.

Nga shumëkush të përjashtuar nga gara për titull, madje para fillimit të këtij sezoni, Arsenali gjendet vetëm prapa liderit Manchester United, derisa gara për titull në Premierligë hyn në fazën vendimtare.

Fakti se Arsenali i ndërtuar me kujdes nga Arsene Wenger lufton për titull para shpenzuesve të mëdhenj Chelsea dhe Manchester City është dëshmi e mjaftueshme për Van Persien se Emirates Stadium është vendi i duhur për të.

“Besoj fuqishëm në filozofinë e klubit tim. Një klub si Manchester City e ndryshon filozofinë e vet çdo vit, ndërsa Chelsea shpenzoi rreth 80 milionë euro këtë sezon, të dyja klube që kanë gojën e madhe para sezonit, mendojnë se Arsenali nuk do të luajë rol në garë për titull, por ne ende jemi para tyre. Dhe atë vetëm duke luajtur lojën tonë, nëpërmjet filozofisë tonë”, tha Van Persie.

Titulli i Premierligës mbetet shpresa e vetme e Arsenalit për trofe, pasi tashmë është mposhtur në finale të Carling Cup nga Birmingham, pastaj u eliminua nga FA Cup si dhe Liga e Kampionëve në vazhdim. Edhe pse është i kënaqur që projekti i Wengerit është duke shkuar në rrugën e duhur, ai pranon se dështimet e skuadrës kanë qenë dëshpëruese dhe ftoi bashkëlojtarët e tij të bëjnë përmirësime. “Ne gjithmonë japim më të mirën në Arsenal dhe gjithmonë duam të fitojmë.

Në një numër të rasteve kemi qenë shumë afër, por, në momentin e fundit, shpeshherë nuk jemi të mirë sa duhet, që është dëshpëruese. Ky është realiteti, por duhet të shikojmë përpara dhe na takon neve të ndryshojmë. Kam besim te ky ekip, Arsenali dhe vetja dhe jam optimist se do të fitojmë tituj”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›