E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagime pas akuzave të Karzait për vjedhje votash

Nuk janë pranuar nga Barack Obama dhe administrata amerikane akuzat e rënda të bëra dje nga presidenti afgan, Hamid Karzai kundër Bashkimit Evropian dhe OKB-së, në lidhje me mashtrimet në zgjedhjet e fundit presidenciale.
Në një komunikatë për shtyp, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar zyrtarisht "sqarime" nga Karzai. Uashingtoni i ka cilësuar pohimet e liderit afgan si "shumë të rënda dhe shqetësuese".
Reagime pas akuzave të Karzait për vjedhje votash
Ndërkohë edhe ish-i dërguari i Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Peter Galbraith, i ka hedhur poshtë akuzat e presidentit Hamid Karzai se ai dhe OKB-ja mbajnë përgjegjësi për mashtrimet që u vunë re në zgjedhjet presidenciale.
Në një intervistë për BBC-në, zoti Galbraith tha se pretendimi se Kombet e Bashkuara kishin organizuar një operacion për të hedhur një milion vota të falsifikuara, ishte jashtë çdo imagjinate. Ai tha se mashtrimi ishte kryer nga vetë presidenti Karzai dhe përkrahësit e tij në Komisionin e Pavarur të Zgjedhjeve.
Peter Galbraith u shkarkua nga Kombet e Bashkuara vitin e kaluar pasi e kritikoi OKB-në se nuk po bënte sa duhej për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›