E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensione politike në Maqedoni

Rriten tensionet politike në Maqedoni. Partia e Kryeministrit Nikolla Gruevski kërkoi dje dorëheqjen e Presidentit Branko Cërvenkovski. Por disa orë më pas, edhe Presidenti i vendit reagoi duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, Nikolla Gruevski. Partia VMRO-DPMNE kërkoi, gjatë një konference për shtyp, dorëheqjen e Cërvenkovskit, i cili, sipas tyre, e ka keqpërdorur pozicionin shtetëror dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit me pjesëmarrjen e tij në disa takime me qytetarë në Veles dhe Gostivar. "Branko Cërvenkovski, nga pozicioni ku gjendet, realizon vizita partiake dhe kryen detyrime partiake në dobi të partisë politike LSDM. Këtë e bën me para dhe burime shtetërore", deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Biçikliski.

Pas këtyre deklaratave, menjëherë ka reaguar Presidenti i Maqedonisë, i cili kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski. "Jemi të befasuar me nervozizmin dhe panikun që ekziston në radhët e partisë në pushtet, demonstruar edhe në konferencën e fundit. Presidenti i Maqedonisë, duke e kryer funksionin e tij, në pajtim me Kushtetutën, ka të drejtë dhe detyrim të komunikojë me qytetarët edhe në formën e tribunave me ta. Gjatë vizitave të tij në komuna, Cervenkovski është i gatshëm të takohet edhe me përfaqësues të pushtetit lokal, edhe me përfaqësues të partive politike, pa dallim, qofshin në pozitë apo opozitë", thuhet në reagimin e Presidencës. Në komunikatë thuhet se Presidenti është i gatshëm të japë dorëheqjen nga detyra që kryen, në të njëjtin moment që do ta paraqesë edhe Kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, i cili sipas tij, më shumë angazhohet për partinë politike VMRO-DPMNE sesa si kryetar i qeverisë për interesat e qytetarëve të Maqedonisë.

Ndërkaq, edhe kryetari i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani, ka bërë publike shqetësimet e partisë së tij për bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në. Ai tha se subjekti i tij ka vështirësi, por se do të përpiqet që zëri i tij të dëgjohet. "Pavarësisht që kemi vështirësitë, shpresoj se koalicioni, patjetër të ketë rrjedhë pozitive edhe për shqiptarët", tha ai për BBC-në.

Ditët e fundit, policë maqedonas bastisën dhjetëra shtëpi shqiptare në fundjavë. Kjo ka shtuar reagimet e subjekteve shqiptare rreth aksionit policor, gjatë të cilit u bastisën disa dhjetëra shtëpi në Shkup e Kumanovë. PDSH, partia më e madhe opozitare shqiptare tha se situata është shqetësuese. Menduh Thaçi, kreu i PDSH-së në opozitë tha se veprimet e fundit të zyrtarëve qeveritarë janë shqetësuese. "Maqedonia është në rrezik të madh nga politika e mbrapshtë", tha ai.

Arben Ratkoceri, botuesi i gazetës "Koha" ishte gjithashtu një nga personat, shtëpia e të cilit u kontrollua dhe ai u mor në pyetje nga policia. Kjo e fundit më pas tha se ai nuk ishte në shënjestër të hetimeve. Por për Ratkoceri, vetë ngjarjet tregojnë se sa pak ndikim kanë subjektet shqiptare që janë pjesë e qeverisë. Sipas tij, për këtë situatë ndikon edhe mungesa e bashkëpunimit mes tyre i partive. "Rastet e fundit na bëjnë të qartë se sa të pafuqishme janë subjektet shqiptare. Ndërkohë, nga rasti u kuptua se është i pamundur unifikimi mes subjekteve politike shqiptare", theksoi ai.

Shkup

Vrasja e policit, në

pranga tre të dyshuar

Operacioni policor, i filluar para afro tri javësh, pas vrasjes së policit shqiptar të forcave speciale "Alfa", Afrim Arifi dhe plagosjes rëndë të dy policëve të tjerë, kulmoi fundjavën e kaluar me një aksion të bujshëm në shkallë të gjerë, me pjesëmarrjen e rreth 200 pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë, gjatë të cilit u kapën tre persona, nga Shkupi, Haraçina dhe fshati Opae i Kumanovës. Gjatë aksionit policor në fjalë u arrestuan gjithsej 17 veta, por, më pas, 12 prej tyre u liruan, ndërsa policia bëri bastisje në dhjetëra shtëpi në Shkup, Haraçinë e Kumanovë. Madje u bastis edhe shtëpia e gazetarit dhe e bashkëbotuesit të gazetës që del në Shkup në gjuhën shqipe, "Koha", Arben Ratkoceri, që reagoi, duke deklaruar se kontrolli i shtëpisë së tij ishte bërë pa vendim përkatës. Por, MPB-ja i hodhi poshtë dje pretendimet e tij, duke deklaruar se kontrolli i shtëpisë së tij nuk kishte lidhje me gazetën "Koha" si medium.

Agim Islami, 25 vjeç, nga Çairi dhe Rexhaili Çaili, 33 vjeç nga Opae dyshohet se, më 26 nëntor të këtij viti, kishin hapur zjarr, pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore të Shkupit, kundër makinës së policisë "Alfa", kurse i arrestuari i tretë, Shaqir Ramadani, 19 vjeç nga Haraçina, kishte ndihmuar dy të parët. Kështu që kundër tyre rëndojnë akuzat për vrasje, tentativë për vrasje, si dhe për veprime të organizuara kriminale. MPB-ja njoftoi se hetimi filloi të japë rezultate konkrete mbas zbulimit se makina e tipit "Golf 3" që kishin përdorur agresorët gjatë sulmit kundër tre policëve, disa ditë para sulmit kishte qenë parkuar para një ndërtese në lagjen shqiptare "Çair" të Shkupit dhe se me të kishin ardhur tre veta. Sipas hetimit, doli se targa e kësaj makine ishte false, kurse vetë makina ishte sjellë nga Zvicra në Kosovë, ku atë e kishin blerë nga tre persona të panjohur nga Maqedonia që e kishin futur atë në vend dhe se, më pas, ishin përpjekur të fshinin numrat origjinalë identifikues të shasisë dhe të motorit.

Letra

Kërcënohet Ambasada Amerikane në Shkup

Ministria e Brendshme maqedonase ka vërtetuar se në Ambasadën Amerikane në Shkup ka arritur një letër kërcënuese, që përmbante pluhur, ndonëse më vonë është vërtetuar se s‘bëhej fjalë për kërcënim me antraks ose eksplozivë. Sigurimi i ambasadës ka reaguar dhe ka njoftuar policinë.

Letra kërcënuese të enjten kanë marrë edhe disa ambasada në Evropë dhe rajon.

"Analizat e përmbajtjes së letrës janë negative, edhe pse ato janë dërguar për analizë të mëtejshme në SHBA", njoftoi të enjten një përfaqësues i ambasadës në Shkup. Për analizimin e letrave të dërguara në SHBA kompetent është FBI-ja.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, letra kërcënuese kanë marrë edhe ambasadat amerikane në Berlin, Bruksel, Bukuresht, Kopenhagë, Oslo, Paris, Dublin, Luksemburg, Rigë, Romë, Talinë, Zagreb, Hagë, Stokholm dhe Reikjavik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›