Reagimet pas finales Del Boske vlereson skuadren

Visente Del Boske është tepër i qetë edhe pas një fitoreje kaq të madhe. Spanja e tij doli kampione e Europës, pasi doli kampione e Botës, ndërsa Del Boske fitoi shumë trofe edhe në stolin e Realit të Madridit. Duke analizuar ndeshjen ndaj Italisë, fituar 4-0, ai thekson se dy golat e parë e vranë këtë përballje.
“Italia luftoi fort dhe goli i parë e dëmtoi, ndërsa i dyti e mbylli ndeshjen përfundimisht, - theksoi ai, - ne luajtëm me atë mënyrë që e menduam se do të ishte më e mira. Ishim përballë një rivali të madh dhe u treguam të pjekur”.
Natyrisht, tani fillon festa. “E kuptojmë alegrinë e njerëzve dhe do të festojmë edhe ne sipas proporcionit të duhur, - u shpreh Del Boske, - ishte logjike që Pujol dhe David Vija të ishin këtu që të festonin bashkë me shokët e tyre”. Dedikimi i Del Boskes është për “futbollin spanjoll dhe familjen”.
Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, vlerëson Spanjën, por edhe thekson lodhjen e madhe të ekipit të tij. “Ata ishin më të freskët fizikisht, - theksoi ai, - nuk pati interpretim të gabuar të garës nga ana jonë. Ne duhet të rritemi. Nuk duhet të harrojmë se kishim përballë kampionët e botës”. Prandeli theksoi se do të vazhdonte punën si trajner i të kaltërve.
Ndërkaq, portieri i Italisë, Xhixhi Bufon, pohon se finalja nuk pati histori dhe se fitorja e Spanjë ishte shenjë e qartë e epërsisë.
“Sonte nuk pati ndeshje, - tha ai, - Spanja ishte tepër superiore ndaj nesh. Kjo bën që dëshpërimi për humbjen të jetë më i vogël pasi kur je përballë një force të pathyeshme e pranon më lehtë humbjen”.