Spanja fiton 23 milione euro
Paraja shkon tek paraja. Kjo shprehje të kujtohet menjëherë kur mëson se Spanja fitoi 23 milionë euro pasi pronësoi titullin kampion të Europës në Ukrainë dhe Poloni.
Kjo shifër erdhi pas ecurisë me 4 fitore dhe 2 barazime që iberikët patën në Euro 2012, duke mos arritur të fitonin vetëm ndeshjen në grup ndaj Italisë dhe gjysmëfinalen ndaj Portugalisë që u vendos pas gjuajtjeve të penalltive.
Edhe në vitin 2008, kur sërish fituan kampionatin europian, spanjollët fituan po kaq para, pra 23 milionë euro. Në atë turne, “Furitë e Kuqe” fituan 5 ndeshje dhe barazuan vetëm njërën, atë ndaj Italisë në çerekfinale ku u kualifikuan po ashtu me 11 metërsha.
Në Euro 2012 ka pasur një rritje të lehtë të shpërblimeve nga ana e UEFA-s dhe kjo rritje ka barazpeshuar rënien e lehtë të rezultateve të Spanjës në krahasim me 4 vjet më parë.
Ky shpërblim është i ndarë në këtë mënyrë: 8 milionë euro janë marrë vetëm për pjesëmarrjen në kampionat, 1 milionë për çdo fitore në grup, gjysmë milioni për çdo barazim në grup, 3 milionë për arritjen në çerekfinale, 2 milionë për gjysmëfinalen dhe 7.5 milionë euro për fitoren e titullit.
Natyrisht, jo të gjitha këto para do të jenë për futbollistët, ndoshta do të ketë një ndarje ku 60 për qind të shkojë për Federatën Spanjolle të Futbollit. Gjithsesi, këta lojtarë do të vlerësojnë më shumë lavdinë dhe hyrjen në histori, aq më tepër që fitimet nëpër skuadrat e klubeve i kanë tepër të lartë.