Spanja triumf dhe rekorde

Spanja kurorëzohet kampione e Europës për vitin 2012. Skuadra e drejtuar nga Visente Del Boske ka regjistruar një fitore rekord 4-0 përballë Italisë, në finalen e luajtur në stadiumin “Olimpik” të Kievit.
Me këtë triumf, “Furia e Kuqe” i shton një tjetër trofe të rëndësishëm atyre të arritur në Euro 2008 dhe në Botërorin 2010, duke u bërë skuadra e parë në historinë e futbollit që arrin të mbrojë me sukses titullin Europian dhe që fiton tre aktiviteve madhorë radhazi.
Përballja nis menjëherë e ndezur, me raste nga të dyja krahët, ndërsa në të 10-ën regjistrohet edhe momenti më i rrezikshëm me Ksavin, që rrezikon portën e Bufon. Ky moment ishte edhe sinjali për golin e avantazhit të Spanjës, me David Silvën, që në të 14-tën, dërgon në rrjetë me kokë një top të harkuar nga Fabregas, pas një vertikalizimi të Ksavit.
Italia ka reaguar menjëherë duke rrezikuar në të gjitha mënyrat, edhe pse shanset më të mira kanë kaluar nga këmbët e Kasanos, me sulmuesin e Milanit që në dy momente ëhstë frenuar nga portieri Iker Kasijas. Megjithatë, kur dukej se “të kaltrit” kishin shanse të ktheheshin në lojë, në minutën e 41-të spanjollët dyfishuan shifrat me Xhordi Alban. Mbrojtësi i sapo blerë nga Barcelona shkëputet nga mesfusha dhe shfrytëzon maksimalisht asistin e Ksavit, duke mposhtur për të dytën herë Bufon.
Në fraksionin e dytë të lojës, Italia ka provuar menjëherë me Di Natalen, pas një devijimi me kokë, ndërsa pak çaste më pas, Spanja pretendoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë nga Bonuçi, por gjyqtari Proença lejoi vazhdimin e lojës.
Italia provon deri në minutën e 51-të sërish me Di Natalen, ndërsa dëmtimi i Tiago Motës 10 minuta më pas ka nxjerrë përfundimisht nga loja skuadrën e Prandelit. Mesfushori u largua nga fusha me barelë, ndërsa “axurrët” nuk kishin më zëvendësime në dispozicion dhe kanë vazhduar lojën në inferioritet numerik.
Kjo ia ka lehtësuar edhe më tepër punën Spanjës, që në të 83-ën realizon golin e tretë me Fernando Torres, pas një asisti të jashtëzakonshëm të Ksavit. “El Ninjo” e dërgon topin në rrjetë vetëm pas 8 minutave në fushë dhe vendos një rekord si lojtari që shënon dy gola radhazi në finalet e Kampionatit Europian.
Në minutën e 88-të, lavdi ka pasur edhe për Huan Matën, edhe ai i aktivizuar nga stoli, që realizon “pokerin” e iberikëve, pas asistit zemërgjerë të Fernando Torres. Me këtë rrjetë vuloset suksesi i Spanjës, skuadrës së ëndrrave, brezit më të talentuar në radhët e iberikëve, ndërsa Italisë i mbetet vetëm zhgënjimi. Kjo edhe sepse skuadra e Prandelit ishte surpriza e këtij europiani përsa i takon lojës, por vetëm shpërthimi në çerekfinale dhe gjysmëfinale nuk mjaftoi përballë kampionëve iberikë.