Rama në Hungari: Të shqetësuar për zgjedhjet
Partia Socialiste përcjell jashtë vendit shqetësimet e saj për infrastrukturën zgjedhore të 28 qershorit. Gjatë një takimi në Hungari me kryeministrin Gurcan, kreu i PS-së, vuri theksin te zvarritja e procesit të kartave të identitetit. “Rama i shprehu partnerit hungarez shqetësimin për shenjat e papëlqyeshme të procesit të zvarritur, të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti dhe e siguroi Kryeministrin Gurcan për vendosmërinë e opozitës shqiptare, për të bërë gjithçka që vendi të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe të shpejtojë hapat e tij, drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së. Në takimin me Kryeministrin Gurcan, zgjedhjet e ardhshme u konsideruar si domosdoshmëri për të garantuar standardet e një vendi, që në prill do të jetë në NATO dhe që synon po ashtu integrimin në BE. Gjatë takimit me kryebashkiakun e Budapestit, Demski, u diskutua për zhvillimin e një partneriteti që synon aksesin në fondet e Bashkimit Evropian për qytetet e vendeve jo anëtare, përmes bashkëpunimit mbi bazë projekti, me qytete të vendeve anëtare. Kryebashkiaku Demski, i cili e qeveris kryeqytetin hungarez prej 18 vitesh shtroi disa opsione të mundshme, në kuadrin e këtij bashkëpunimi të veçantë dhe ofroi ndihmën e ekipit të tij, për të hartuar projekte konkrete zhvillimi me interes reciprok, për Tiranën e Budapestin.