Zjarr në shkollën 9-vjçare nxënës e mësues evakuohen
FIER / MAJLINDA RAMA
Alarm në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Fier. Mbingarkesa në rrjet ka provokuar një zjarr në korridorin e katit të dytë të ndërtesës, duke tronditur nxënësit e mësuesit e shkollës. Defekti është shfaqur rreth orës 08:30, pak sapo kishte nisur mësimi ditën e djeshme. Të parët që vunë re flakët ishin nxënësit e katit të dytë, të cilët të alarmuar kanë lajmëruar edhe fëmijët e tjerë që më pas kanë braktisur shkollën me shpejtësi. Më shumë se 50 fëmijë kanë dalë në oborrin e shkollës të tmerruar, e ndërsa paniku ka përfshirë gjithë të tjerët. Limitatori, i vendosur pikërisht në brendësi të godinës ka pësuar një defekt, prej të cilit ka shpërthyer flaka e më pas tymi ka mbytur ambientet. Burime brenda shkollës kanë pohuar se gjithçka ka ardhur pasi rrjeti elektrik i shkollës gjatë kësaj periudhe ka qenë i mbingarkuar, ku në pjesën më të madhe të klasave përdoren rezistenca për t’u bërë ballë temperaturave të ulëta. E ndërsa e gjithë situata është përjetuar dramatikisht nga fëmijët, këta të fundit kanë treguar edhe momentet e frikës e ankthit. “Ne ishim në klasë kur dëgjuam nxënësit e tjerë të shkollës, më të rritur se ne që bërtisnin se në shkollë kishte rënë zjarri. Dolëm në korridor dhe pamë vetëm tym. U trembëm shumë e zbritëm për të dalë jashtë. Më pas edhe shumë fëmijë të tjerë erdhën në oborr dhe mësuesit na thanë të prisnin për pak kohë sa të largohej tymi”. Vetë fëmijët e kanë përjetuar shumë keq këtë situatë e ndërsa reagime ka pasur edhe nga prindërit e disa nxënësve, të cilët njëri pas tjetrit i janë drejtuar shkollës për të mësuar se çfarë kishte ngjarë. Për ngjarjen e ndodhur, stafi pedagogjik nuk ka dhënë asnjë sqarim. Ndërsa pas saj është prononcuar kreu i Drejtorisë Arsimore në Fier, Tahir Kastrati. Sipas tij, Drejtoria Arsimore është vënë në lëvizje për të gjetur edhe shkaqet që sollën krijimin e kësaj situate. “Kemi kërkuar një relacion përkatës nga Drejtoria e shkollë dhe ekspertët përkatës për gjithçka ndodhi. Megjithëkëtë mendojmë se është ngarkesa e rrjetit elektrik në këtë shkollë, e cila nuk ka instalime të reja, ajo që ka çuar në prishjen e limitatorit. Megjithatë, çdo gjë do të verifikohet”, pohoi ai. Ndërkohë duhet theksuar se pasi është qetësuar situata, nxënësit i janë rikthyer mësimit por këtë herë pa energji elektrike.
Matura, protestë për shkollën
MEMALIAJ - Nxënësit maturantë në qytetin e Memaliajt kanë bojkotuar për dy orë procesin mësimor ditën e djeshme. Shkak kanë qenë kushtet tejet të këqija në të cilat ata zhvillojnë procesin mësimor. Dy prej maturantëve janë shoqëruar në polici dhe ndaj tyre pretendohet se është ushtruar dhunë. Prej mëse dy vitesh, klasat e shkollës së mesme të këtij qyteti, zhvillojnë mësim në ambientet e shkollës 9-vjeçare, pasi ndërtesa shkollore, iu nënshtrua një rigjenerimi total si pasojë e amortizimit të plotë. Ndonëse kanë kaluar dy vjet, godina e re e transformuar rrënjësisht, nuk është ende gati të presë nxënësit dhe me sa duket ka gjasa që të qëndrojë kështu edhe për disa muaj të tjera. Firma ndërtuese e cila ka kryer rehabilitimin e godinës tri katëshe, nuk ka marrë sasinë e fondeve të mjaftueshme nga ana e qeverisë, prej 20 milionë lekësh, duke gjetur si zgjidhje vendosjen e drynit dyerve të shkollës së shtetit.