E Diel, 1 Nëntor 2026

Interneti dhe Bill Gejts, armiqtë e rinj të Edvinit

Do ta nëmin e mallkojnë të shkretin Bill Gates përse shpiku kompjuterin, do ta shajnë deri në treqind breza shpikësin e internetit, sepse kutia “ishte ferra Ibrahim” që mban lepurin Rama-Ruçi

Fatbardh Kadilli, deputet i PD në seancën e lirë të së enjtes tha: “Ju do të mbeteni deputetë 60 minutësh, të së enjtes pasdite...”. Si një copëz për një esse, ishte një gjetje e shkëlqyer. Kushtëzimi që Rama po u bën deputetëve të opozitës shpreh një mënyrë skandaloze për deputetët që kanë marrë mandate nga populli, por që urdhërohen turpërisht nga kryetari i partisë. Një mënyrë shvejkiane takimi të enjtes pasdite 60 minuta, për deputetët e një partie të dytë në vend. Në të gjithë historinë e tij, ky kuvend nuk ka parë kondicionime të tilla. Shpikja origjinale “Rama-Ruçi” shqyrton më mirë krizën e thellë që ka kryetari i selisë ylberiste...
I xhindosur nga humbja e 28 qershorit dhe i trullosur nga një sërë investimesh qeveritare nëpër akset kryesore të vendit, i vetmuar në protesta nga qytetarët, i rënë moralisht nga metodat e sjella në parti nga ish-ministri i Brendshëm, i dërrmuar plotësisht nga mbështetja ndërkombëtare e Berishës, kryetari i selisë rozë nuk di nga t’ja mbajë. Në këtë kuadër ishte edhe gjetja të enjten pasdite 60 minuta, që nuk është parë e dëgjuar kurrë në asnjë nga parlamentet e botës ku shkëlqen demokracia. çfarë do të duhet t’i thërrasim deputetët që pranojnë të shkojnë në kuvend vetëm të enjten pasditeve, për vetëm 60 minuta? Kryetari vetë nuk është në kuvend - dhe jo vetëm ai, por edhe ca belulë të së majtës, të cilët kanë ngjirur zërin për të mos lejuar opozitën në kuvend.
Dhe ndërkaq, që presioni ndërkombëtar ishte i madh, Ruçi e Rama vendosën gardhe pengese për të zgjedhurit e popullit. Sa do të vazhdojë historia “Të enjten pasdite takimi 60 minuta tek kuvendi”? Duket se do të vazhdojë sa procedurat për zgjedhjet elektronike të heqin qafe edhe pengesën e fundit, fijen e kashtës ku është kapur prej muajsh çifti Ruçi-Rama. Po atëherë çfarë do të thonë? Do ta nëmin e mallkojnë të shkretin Bill Gates përse shpiku kompjuterin, do ta shajnë deri në treqind breza shpikësin e internetit sepse kutia “ishte ferra Ibrahim” që mban lepurin Rama-Ruçi. Pas kësaj shqiptarët kanë për të parë lakuriqësin e madhe të çiftit Ruçi-Rama dhe mashtrimin e madh pas të cilit ngrihen alibi të paqena vetëm për të penguar shqiptarët në procesin e liberalizimit të vizave. Votimi elektronik është mirë të ngrihet shpejt sepse nuk kemi kohë të dëgjojmë çdo natë nëpër ekrane, ramët dhe ruçët, që livadhisin pa i dhënë kujt hesap. Duke parë fundin e mashtrimit, ata kanë ngritur grupe talebanizmi për të ngatërruar çdo seancë kuvendi, për të penguar ku të mundin dhe sa të mundin. Edhe takimi të enjten pasdite 60 minuta është thjesht hedhja hi syve popullit gjoja për kthimin, por se çfarë kthimi është ky në parlament më kujton veç hallakatjen e një prindi që shkon në shtëpi të vet veç një herë në javë, të enjten pasdite dhe vetëm 60 minuta...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›