Paskal Milo: Rama po na sjell probleme serioze, dalim nga koalicioni

Aleati i Partisë Socialiste, kryetari i PDS-së, Paskal Milo u shpreh sot se pasiviteti politik i Edi Ramës po u kushton shtrenjtë të vegjëlve, të cilët pa korrektimin e sistemit zgjedhor e shohin veten jashtë parlamentit. Milo akuzon sërish Ramën se shkeli marrëveshjen me aleatët, duke mos insistuar në korrektimin e sistemit proporcional rajonal, në atë proporcional kombëtar
UPDATE- Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo shpreh zhgënjimin mbi mungesën e shqyrtimit të kërkesës për korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor, nga ana e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore. Zhgënjim, i cili bëhet më i madh, kur kërkesa për ta shtyrë ka mbërritur pak ditë më parë nga kryesociaisti Edi Rama.
Zoti Milo shton se ende nuk kanë humbur shpresat për korrektimin e sistemit. Por, ai thekson se nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë është e pashmangshme edhe prishja e aleancës me Partinë Socialiste.
Drejtuesi i Demokracisë Sociale, thotë se dy partitë e mëdha po punojnë në bazë të një konsensusi të heshtur. Sipas tij, komisioni i reformës zgjedhore, nuk ka shqyrtuar elementet bazë të rishikimit të ligjit zgjedhor, siç është numërimi elektronik, indetifikimi i zgjedhësve, rikompozimi i KQZ-së, procesi i ankimimit dhe korrektimi kombëtar. Në këtë këndvështrim, ai thotë se nuk është bërë gjë tjetër vetëm kozmetika e ligjit në fuqi. Për pasojë komisioni ka dështuar në objektivin e tij.