Depresioni, vetëvaret nëna e tre fëmijëve
Devoll- Vetëvarjet vazhdojnë të shkaktojnë viktima të reja, duke e çuar në 20 numrin e të vdekurve në rajonin juglindor të vendit. Viktima e radhës është një 45-vjeçare nga fshati Braçanj, në rrethin e Devollit nënë e tre fëmijëve.
Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Devollit, mësohet se Bukurie Çeliku është gjetur e vdekur, e vetëvarur në një pemë, në vendin e quajtur përoi i Devollit. Ajo gjatë mëngjesit ishte mjaft e shqetësuar, ndërsa ka vendosur të kryejë të gjitha punët e shtëpisë dhe më pas është larguar.
Familjarët kanë menduar se ajo ka shkuar të punojë arën, ashtu si bënte dhe ditë të tjera, por bashkëshorti i saj ka dyshuar dhe ka vendosur ta kërkojë. Ai e ka gjetur të vetëvarurur dhe pa shenja jete.
Nga hetimet e para, por dhe marrja në pyetje e familjarëve të Bukurie Çelikut është mësuar se problemet ekonomike që ishin shtuar kohët e fundit në familjen e gruas, mendohet ta kenë çuar atë në një depresion të thellë.
Prej një muaji kanë pohuar të afërmit e saj viktima ishte mjaft depresive, ndërsa dhe para vdekjes ata kishin konstatuar se ishte mjaft e shqetësuar dhe vazhdimisht qante.