OSBE-ODIHR: Maqedonia, votime pa standarte
Procesi i rivotimit në Maqedoni, megjithë përmirësimet e ndjeshme që u shënuan, nuk plotësoi disa nga standardet kryesore. Shkak për këtë janë bërë disa incidente dhe akte të dhunës. Deklarata është bërë së fundi nga misioni vëzhgues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni OSBE-ODIHR.
“Me gjithë përpjekjet pozitive të institucioneve shtetërore për të siguruar rivotim të suksesshëm, raste të tensionimit dhe të frikësimit janë shënuar gjatë fushatës si dhe në ditën e rivotimit. Presim të shohim hetim të vazhdueshëm dhe shpresojmë se drejtësia do të arrihet dhe kjo nevojitet për tu kthyer besimi tek sundimi i së drejtës”, tha Pia Christmas Moller nga Asambleja parlamentare e OSBE-së.
Ndërkaq, Shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut Çaushoglu tha se, “siguria dhe atmosfera kryesisht e qetë në ditën e rivotimit, na bënë me dije se ngjarjet tragjike të 1 qershorit kanë mundur të mënjanohen”. Çaushoglu tha se në pjesën më të madhe të vendvotimeve kishte kulturë tolerimi, dhe kjo është shenjë e mirë e dialogut mes dy partive më të mëdha shqiptare, që të bën, sipas të shpresosh se nuk do të ketë incidente gjatë zgjedhjeve të ardhshme.
Përfaqësuesit e OSBE-së theksuan se të involvuarit dhe përgjegjësit e incidenteve dhe akteve të dhunës duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë.
“Institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga autorët e akteve të dhunës dhe incidenteve, duke i përfshirë këtu edhe aktivistë të partive politike të cilët ushtrojnë funksione të larta në policinë e vendit. Në të kundërtën kultura për mos dënim në zonat e banuara me shqiptarë do të vazhdojë edhe për zgjedhjet e ardhshme”- theksoi ambasadori i OSBE-ODIHR-it Robert Beri.
Përgjegjësia për incidentet, sipas tij, duhet të kërkohet edhe nga zyrtarë më të lartë shtetëror, posaçërishtë bëhet fjalë për zëvendësministrin e MPB-së, Refet Elmazin dhe persona të tjerë, por në përgjithësi ekziston paaftësi e institucioneve që hetimet për njerëzit e implikuar në incidentet e zgjedhjeve të shkojnë para pra deri në gjyq.